Një ngjarje që mund të kishte patur një fund tragjik është parandaluar në Korçë.
Dy shtetas (at e bir) në bashkëpunim mes tyre, gjatë një konflikti, tentojnë të vrasin me sende të mprehta një person. Arrestohen në flagrancë nga Policia. Specialistët e Seksionit për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve Ilo dhe Jonel Vangjel, 53 dhe 29 vjeç, të dy banues në Korçë. Arrestimi i tyre u bë pasi, më datë 09.02.2017, në lagjen nr 8 në Korçë, dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim mes tyre, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sende të mprehta, në trup dhe kokë shtetasin V.M, 50 vjeç, banues në Korçë.
Ky i fundit, po merr mjekim në Spitalin Rajonal të Korçës, aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të autorëve të dyshuar i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 76 ; 22 dhe 25 të Kodit Penal./b.d