“Ministria e Drejtësisë në përputhje me strategjinë për drejtësinë që ajo ka miratuar si dokument, e cila është paraqitur me kërkesë të vetë qeverisë, jo më larg se nëntori i këtij viti dhe në përputhje me paketën e ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, por edhe 7 ligjeve të tjera, ka përgatitur një projekt më të fundit, të ndryshimeve të kodit të procedurës penale të Republikës së Shipërisë, i cili është një variant tjetër nga ai që kohë më parë kjo ministri ka përpunuar së bashku me EURALIUS”.
Kjo deklaratë e ministrit të ri të Drejtësisë, Petrit Vasili për një draft të ri të Kodit të Procedurës Penale, që nuk i referohet ekspertizës së EURALIUS ka shërbyer për acarimin e toneve mes dy partive të koalicionit qeveritar PS – LSI, duke e kthyer debatin në pikën fillestare të diskutimit për rolin e ekspertëve të nivelit të lartë në punën e Reformës në Drejtësi.
‘’Drafti që diskutojmë është drafti i Reformës në Drejtësi, pra drafti i parë me EURALIUS apo drafti i dytë për të cilin foli ministri’’?-pyet Luan Rama.
“I punuar nga Ministria e Drejtësisë, nën esistencën e misionin EURALIUS. Pasi ka ardhur në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi, është marrë dhe është punuar nga eskpertët e nivelit të lartë në kuadër të Reformës sipas vendimit të Kuvendit të Shqipërisë”,-u përgjigj Manja.
Sipas Shqiptartja.com, kreu i grupit të LSI, Luan Rama kërkoi informacion se nga kush është bërë ky draft dhe cili është roli i gjithë institucioneve në këtë proces. Deputeti Ulsi Manja tha se është ndjekur procedura e dakordësuar në Kuvend që i caktoi ekspertëve detyrën e sjelljes së një drafti.
Por Luan Rama nuk u mjaftua me këtë përgjigje dhe debati solli ndërhyrjen e kreut të komisionit të ligjeve që i kujtoi deputetit të LSI se debati politik bëhet në komisionin e ligjeve dhe jo në një tryezë konsultative me prokurorë e gjyqtarë.
“Zoti Rama dhe cilido tjetër kur të jetë mbledhja e Komosionit të Ligjeve mund të diskutojmë këto gjëra. Këtu nuk jemi për Komision”,-u shpreh Xhafaj.
Kjo situatë u sqarua më pas nga eksperti i nivelit të lartë Artan Hoxha që është angazhuar në hartimin e draftit të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale.
“Kuvendi meqënëse kishte krijuar një komision të posaçëm. Në kuadër të integrimit të tërë reformës, si një korpus që harmonizohet i legjislacionit, që ofron reformën, këtë projekt të Ministrisë së Drejtësisë, ja paraqiti Komisionit të ekspertëve për ta rishikuar”,-u shpreh Hoxha.
Më herët, ministri Vasili u ndal në disa propozime të Ministrisë që kanë të bëjnë me përgjimin, ku sipas tij duhet kryer me vendim gjykate, të kufizohet e mundësia e marrjes si provë finale dëshmitë anonime apo krijimi i Drejtorisë së Policisë Gjyqësore që do të jetë në varësi të Prokurorisë.
Duke u ndalur te organi i akuzës Ministria e Drejtësisë propozon që Prokuroria duhet të provojë fajësinë, por gjykata do të jetë ajo që jep vendimin.