Pas dy vitesh nga rrëmbimi i Enver Stafukës, ngjarja ka mbetur e pazbardhur. Hetimet kanë mbetur pezull për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i vënë para drejtësisë autorët e dyshuar.
Në përvjetorin e dytë të rrëmbimit, familjarët thonë se u kanë dhënë informacion të bollshëm hetuesve dhe shprehin habi pse nuk po e çojnë hetimin deri në fund.
Fitnete Stafuka, motra e Enverit, e cila ishte personi më i afërt i tij, shprehet për “Panoramën” se po përpiqen me të gjitha mënyrat për të ndihmuar organet kompetente për të zbardhur ngjarjen dhe për të identifikuar autorët, të cilët, sipas saj, janë tashmë të identifikuar nga ana e familjes Stafuka, por fatkeqësisht jo nga ana e Prokurorisë dhe Policisë.
Sipas saj, kanë qenë shokët e Enverit ata që e prenë në besë, duke përmendur si një nga rrëmbyesit e tij Durim Bamin. Shkak sipas Fitnete Stafukës mund të jetë bërë fakti se i vëllai ka qenë në dijeni të shumë krimeve të kryera nga grupi i Bamit.
Ajo dyshon se ky i fundit bashkë me miqtë e tij, kanë pasur frikë se Enveri do ti tregonte krimet e tyre. Në emër të familjes, ajo i bën thirrje Policisë, Prokurorisë, ministrit Tahiri, Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe Presidentit Bujar Nishani që të mos e lënë ngjarjen pa autorë, pasi kjo do tu shkaktonte një dhimbje shumë më të madhe.
Fitnete Stafuka rrëfen se si miku më i afërt e nxori nga shtëpia Enver Stafukën duke e ftuar për kafe. Më pas ai u rrëmbye nga tre persona të veshur si efektivë policie./a.m.