Rreth 120 familje të tre pallateve në lagjen “15 Tetori” në Fier kanë protestuar këtë të martë pasi prej 48 orësh janë pa drita.
Shkak për mungesën e energjisë është bërë brigada e OSHEE-së, që do të heqë transformatorin 20 kilovolt për ta zëvendësuar me një tjetër, 6 kilovolt.
Arsyeja e këtij këmbimi nuk dihet, thonë banorët, pasi transformatori nuk është djegur, por është në gjendje pune. Ata pohojnë se kjo nuk është e drejtë, pasi pretendimet e Operatorit se po vepron kundrejt një kontrate të prishur me pronarin e pallatit nuk janë të vërteta.
Ne, thonë banorët, ia paguajmë lekët OSHEE-së sepse kontratën e kemi me të dhe jo me pronarin e pallatit. “Atëherë përse duhet të rrijmë pa drita për këtë konflikt mes OSHEE-së e pronarëve të pallatit?”, tha një prej tyre.
Nga ana e tyre, punonjësit e brigadës së OSHEE-së janë pritje të marrjes së urdhërit për të ndërruar transformatorin, apo për t’u larguar. Jashtë kamerës, kryeinxhinjeri i kësaj ndërmarrjeje ka thënë se, kjo është një histori e gjatë dhe se s’mund të prononcohet pa urdhër nga lart.
Deri sa të zgjidhet ky konflikt, rreth 120 familjet e këtyre tre pallateve duhet të jetojnë pa energji elektrike në banesat e tyre.tch/a.k