Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, po zhvillon disa takime zyrtare në Bruksel dhe ditën e Martë ka diskutuar me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës Europiane e Anti-Mashtrimit (OLAF), Giovanni Kessler të Komisionit Europian, lidhur me forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit.
Llalla e informoi zotin Kessler lidhur me përpjekjet e autoriteteve shqiptare në luftën kundër korrupsionit, si edhe me masat e reja legjislative për forcimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Për Prokurorin e Përgjithshëm, lufta kundër korrupsionit është një prej prioriteteve madhore të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian. Për këtë arsye- theksoi Prokurori i Përgjithshëm- përvoja e autoriteteve të Brukselit në këtë drejtim do të shërbejë për forcimin e mekanizmave hetimorë.
Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) është organi i vetëm i BE-së i mandatuar për të zbuluar, hetuar dhe ndaluar mashtrimin me fondet e Bashkimit Europian. Kjo zyrë ka një status të pavarur në funksionimin e saj dhe është pjesë e Komisionit Europian.
Drejtori i Përgjithshëm i OLAF, Giovanni Kessler është emëruar në këtë detyrë nga Komisioni Europian në vitin 2011, për një mandat 7-vjeçar. /a.k.