Përfaqësuesi ligjor i OSHEE-së në Arbitrazhin Ndërkombëtar, Romeo Kara, nuk preferon të merret personalisht me dëshmitarin e kërkuar për privatizimin e OSHEE-së, Nuel Kalaj. Ai i kërkon atij që të paraqitet në Komisionin Hetimor parlamentar. Romeo Kara shprehet se roli i Nuel Kalajt si sekser në privatizimin e OSSHE-së del nga korrespondenca e vetë çekëve.
“Unë financohem nga buxheti i shtetit, nga rroga që marr për të mbrojtur interesin publik. Askush nuk më paguan ekstra për të mbrojtur këtë interes. Nuk dua të merrem personalisht me një njeri që ka përfituar 7 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë për një aferë kaq të madhe.
Fillimisht dinim për një shumë prej 3.5 milionë euro, por dokumentet tregojnë se ai paska përfituar 7 milionë euro dhe këto për shërbimin e sekserit”, tha Kara. Ai i kërkon Nuel Kalajt që të paraqitet në Komisionin Parlamentar hetimor, që të hedhë poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.
“Roli i tij si sekser del nga komunikimet që zoti Kalaj ka bëre me CEZ-in. Përse i fshihet hetimit parlamentar?! Të shkojë të dëshmojë rolin e sekserit, për të cilin është paguar me shuma marramendëse. Ne do të ndjekim rrugën ligjore dhe e ftoj që edhe zoti Kalaj të ndjekë të njëjtën rrugë, unë mbroj vetëm interesin publik”, përfundoi reagimin e tij Romeo Kara, shkruan panorama.
Një ditë më parë, Nuel Kalaj përmes një statusi në “Facebook” akuzoi përfaqësuesin ligjor të OSHEE-së, Romeo Kara, se po spekulon me emrin e tij.
“Po spekulon pa fund dhe pa asnjë argument serioz në lidhje me personin tim. Nuk jam këshilluar, as nuk këshillohem nga askush siç këshillohet z.Kara, por jam në të drejtën time. Unë kam pasur kontratë me ‘CEZ Grup Prag’ dhe kontrata ime është firmosur po në Pragë nga drejtuesit e kompanisë CEZ në zyrat e CEZ dhe jo në Tiranë. Unë jam i bindur se ky komision po bën fushatë mediatike për të arritur te qytetari se ne po zbulojmë aferën e shekullit. Zoti Kara nga kush paguhet për të ndërtuar kaq shumë spekulime në lidhje me personin tim? Nëse kam shkelur ligjet shqiptare, apo kam përvetësuar lekë nga taksapaguesit shqiptarë, apo nga ‘CEZ Albania’, unë përgjigjem para ligjit dhe po deshët edhe në Gjykatën e Strasburgut”, shkruan Nuel Kalaj në statusin e tij në “Facebook”.