Inspektoriati Shtetëror i Ujrave, në kuadër të zbatimit të urdhërit të Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti dhe masave për parandalimin e shfytëzimit pa kriter të baseneve të lumenjeve dhe inerteve, pas kontrolleve në të gjithë territorin e vendit, ka penalizuar 5 kompani që shfrytëzonin në mënyrë të paligjshme inertet në basenet e lumenjëve, me nga 2 milionë lekë gjobë.
Në një njoftim për shtyp ministria e Bujqësisë ben te ditur se, subjekt penalizimi i Inspektoriatit Shtetëror të Ujrave, janë kompanitë “Adolfi Konstruksion”, në Lezhë, e cila shfrytëzonte inertet në shtatin e lumit Mat, “Halili” që shftytëzonte inertet në Lumin Shushicë, Vlore, “Biba X” për shfrytëzim të inerteve në lumin Shkumin, Elbasan, si dhe “General Beton” e “Ardian Aliaj”, kompani këto me qendër në Fier, të cilat janë konstatuar nga inspektorët e ISHU, duke shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme inertet në lumin Vjosë.
Inspektoriati Shtetëror i Ujrave iu bën thirrje kompanive në të gjithë vendin, që të marrin masa për t’u larguar sa më parë nga veprimtaria e shfrytëzimit të paligjshëm të inerteve dhe bazen e lumenjëve, pasi në rast konstatimi, do të merren masa administrative, sipas legjislacionit.
Inspektorët e ISHU do të mbajnë nën monitorim të gjithë territorin e vendit, ndërkohë që pak ditë më parë, Ministri Panariti kërkoi “Zero tolerancë ndaj dëmtimeve, punimeve e ndërhyrjeve në sistemet ujore, në basene, lumenj e në ekosistem”./a.m.