Edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore, shkrimtari i madh Dritëro Agolli gjeti forcë për të dhënë një intervistë televizive. Askush nuk do ta mendonte se ky do të ishte edhe rrëfimi i tij i fundit për media.
Krah tij si gjithmonë qëndron bashkëshortia Sadije, e cila u shndërrua në simbol të betimit klasik të dashurisë “Deri sa vdekja të na ndajë”.
Agolli flet lidhur me bëmat që kishin shënjuar jetën e tij nga fëmijëria deri më sot.
Me një gjuhë mjaft popullore, gjeniu i letrave sjell në vëmendje fragmente nga fëmijëria e tij në vendlindje dhe lidhja e ngushtë që ka me Devollin dhe devollinjtë.
I pyetur për marrëdhëniet e tij me politikën, shkrimtari kundërpërgjigjet duke sjellë shëmbuj konkretë që tregojnë se politikanëve u vdes emri shpejt ndërsa letrarët sigurojnë jetesën e emrit të tyre ndër vite.
Tek sa komenton prurjet e tij më të fundit letrare, kolosi i letrave suprizon kur thotë se lexuesit deri më tani nuk kanë lexuar akoma as gjysmën e krijimtarisë së tij. Ai siguron se në arkivat personale ka edhe shumë dorëshkrime të tjera të cilat pasardhësit e tij do t’i sjellin një ditë për lexuesit.
Në fund shkrimtari nuk nguron as të rrecitojë ndonjë poezi të shkurtër nga libri i tij i fundit me titull “Prit dhe Pak”. Titull i cili i drejtohej vdekjes./a.m.