“Vettingu nuk është as për mua, as për ambasadën e SHBA, nuk është as për Kryeprokurorin”
Ky ka qenë reagimi i parë dhe i vetëm deri më tani i kryeministrit Edi Rama, në lidhje me përplasjen e javës së shkuar mes ambasadorit Lu dhe kryeprokurorit Llalla.
Por pavarësisht se nuk ka komentuar ngjarjen në mënyrë konkrete, kryeministri është shprehur se vettingu dhe reforma në drejtësi nuk janë krijuar për ambasadorin Lu e kryeprokurorin Llala, por për të hequr me rrënjë nga sistemi, 25 vite korrupsion të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Edhe vetë reforma në drejtësi nuk është për ne, në kuptimin , në interesin tonë. Ajo është për ju. Drejtësia e re nuk na duhet për disa pushtetarë të korruptuar që duhet të marrin ndëshkim, por për çlirimin e drejtësisë nga kthetrat e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar që i kanë marrë frymën këtij vendi për 25 vjet.”-tha Rama.
Këto fjalë Kryeministri Edi Rama i ka thënë gjatë takimit me përfituesit e skemës lehtësuese të kamatvonesave, duke thënë se nga ky vit do të nisë aplikimi i matjes së faurave me kompjuter, në mënyrë që korrupsioni, faturat afrofe dhe të tjera problematika, të shuhen përfundimisht.
Rama gjithashtu është shprehur se objektivi i qeverisë është ulja e TVSH-së për dritat, çka do të nënkuptonte një rënie të barrës fiskale për qytetarët.
“Kundërshtarët e reformës nga të katër anët vunë kujën, falni kamatvonesat, falni kamatvonesat.
Nëse ne do të kishim falur kamatvonesat që në momentin e parë, reforma do të kishte dështuar dhe ne do të kishim dështuar në një nga aspektet më të rëndësishme të projektit tonë për të bërë shtet.
Sot ne kemi 453 mijë konsumatorë që kanë aktmarrëveshje me shtetin dhe që janë në një marrëdhënie reciprociteti me kompaninë.
Konsumatorët i përgjigjen kompanisë sipas detyrimeve të tyre dhe kompania ua kthen dhe do tua kthejë duke ua lehtësuar barën e të shkuarës që është barë e përbashkët, ështe dhe bara e një pushteti që kupton se ato para të papaguara vinin dhe si rezultat i mungesës së shtetit.
Në vend të bëheshin shkolla, spitale e gjëra tjera, 150 mln dollarë o euro, sipas rastit, shkonin për të mbushur gropën që ishte bërë nga vjedhja që ne gjetëm kur erdhëm.
Rrjeti është komplet i amortizuar… patjetër që nga ana tjetër problemi i leximit të faturave mbetet akoma problematik. Por kush mund të thotë sot se nuk është një ndryshime themelor se sot nuk ka më afrofre… se sot në 99% të rasteve fatura është e saktë.
Për të ndërtuar një shtëpi pa leje duhen vite… por për të ndërtuar një shtet? Mjaftojnë 3 vjet? Jo, nuk ka si të mjaftojnë! Por ky nuk është justifikim, Unë jam i interesuar në mënyrë të vijueshme për përmirësimin e shërbimit. Ka filluar tani projekti i leximit kompjuterik të faturave në Tiranë. Por kjo është e lidhur me një problem tjetër. Me regjistrin e shtetasve. Në 25 vjet, shteti shqiptar nuk numëroi dot shqiptarët. Kjo bën që tja çosh faturën dikujt që nuk është më aty ku ka qenë.
Është shumë e rëndësishme që ne, në këtë rrugë do të jemi në gjëndje të vazhdfojmë të lehtësojmë ata që janë më në nevojë, të gjithë ata që kanë detyrim të të kaluarës dhe do të jemi në gjëndje të uljes së përmbushjes së një objektivi. Uljes së TVSH-së së energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, ne sot kemi ardhur në kushtet kur borxhin e kemi vënë nën kontroll dhe kemi filluar ta ulim. Ndërkohë që rrogat i rrisim, psensionet i rrisim, investimet i risim.”-tha Rama.