Miku i tij i vjetër, Moikom Zeqo, tregon rrugëtimin e përbashkët që ka pasur me patriarkun e socialistëve që pas Kongresit të qershorit 1991. Studiuesi dhe shkrimtari i njohur tregon episode të veçanta nga takimet e tyre me njerëzit, por edhe udhëtimin në Shën Petërburg dhe qasjen e politikanëve shqiptarë ndaj Dritëro Agollit, shprehet për Panorama.
Ju jeni bashkudhëtar i vjetër i Dritëro Agollit para viteve ’90, por kulmin e miqësisë e keni arritur gjatë viteve që keni qenë në Partinë Socialiste pas viteve ‘90 e në vijim. Si ka ndikuar Dritëroi në atë kapërcim të PPSH-së në PS?
Unë e kam njohur Dritëroin që në vitet ’70 të shekullit të kaluar. E kam njohur edhe si gazetar, por miqësia jonë u forcua nga 1991, kur në mënyrë paralele pa biseduar me njëritjetrin mbajtëm të njëjtin qëndrim kritik në Kongresin e 10 të, kongresi i fundit i PPSHsë, për të bërë një transformim i cili ishte pozitiv dhe jetik për atë kohë të shkuarjes drejt një programi socialdemokrat dhe të një partie që u quajt PSSH.
Diskutimi i parë ishte i Dritëroit. Ai ishte emër shumë i njohur dhe pesha e fjalës së tij ishte shumë e madhe. Pas tij kam diskutuar edhe unë, që ishin dy diskutimet kryesore. Situata në opozitë e zhvilloi mendimin politik brenda PSsë. Ne rrinim shpesh bashkë si deputetë dhe përballeshim me shumë elementë të autoritarizmit të pushtetit të atëhershëm. Madje, ndonjëherë kur kuvendi mbaronte vonë dhe unë nuk e arrija trenin për t’u kthyer në Durrës, kam fjetur te shtëpia e Dritëroit.
Si vlerësohej Dritëroi në PS në atë kohë?
Pesha e Dritëroit në Partinë Socialiste ishte referenciale, edhe Fatos Nano që bëri burg gati katërvjeçar e ka çmuar Dritëroin. Madje në listat tona për deputet, emri i tij ishte i pari dhe para kryetarit të PSsë. Dritëroi pati një jetë më të gjatë si deputet i PSsë dhe ka pasur një vlerësim shumë të madh në elektorat.
Për gati 20 vjet, edhe kur isha unë drejtor i Muzeut Kombëtar, kemi bërë një lëvizje të pashembullt nëpër të gjithë vendin, në çdo cep dhe në çdo fshat. Kur shkonte në ndonjë fshat, Dritëroi mbushte xhepat me karamele dhe çokollata dhe ua shpërndante fëmijëve të shtëpisë që na priste, saqë më të vjetrit çuditeshin me këtë ritual të tij. Një herë ishim në Bogovë dhe në rrugë kalon një varg dasmorësh.
Ndalon makinën e çiftit dhe daroviti nusen pa e njohur fare. Ata u çuditën një moment dhe pastaj e njohën. Kur u nisëm, na vjen një makinë e dasmorëve nga pas dhe na jep dy damixhanë, me verë dhe me raki. Një herë në fshatin Gjerbës shkuam sepse fëmijët e këngëtarit të madh të Skraparit, Demir Zykës, kishin rregulluar varrin e të atit dhe donin që ta përuronte patjetër Dritëroi. Dritëroi aty ia mori edhe këngës, ai dinte mbi 100 këngë popullore të të gjitha trevave, kishte një marrëdhënie të veçantë me popullin.
Edhe në zonat e djathta ju prisnin njëlloj?
Kur më bënë “Qytetar Nderi” në Libohovë, erdhi edhe Dritëroi me mua. Rrugës për në Tiranë, Dritëroi më thotë do të kthehemi në Lazarat. Lazarati ishte shumë problematik, kishin qëlluar kur Makbule Çeço kishte qenë atje. Shkuam në qendrën e fshatit, e njohën Dritëroin dhe na bënë një pritje të jashtëzakonshme, sepse te Dritëroi, pavarësisht bindjeve politike, shikonin një njeri të popullit që i donte njerëzit. Ka shumë raste të tilla spontane me Dritëroin.
Si ka qenë udhëtimi juaj në Moskë?
Ka qenë një udhëtim i çuditshëm. Kemi shkuar në 2004 për të bërë një film për Dritëroin në Moskë dhe Shën Petërburg.
Kishte qenë ëndrra e tij e jetës rikthimi në Shën Petërburg?
Po, ashtu ka qenë. Unë isha shumë i interesuar edhe për të përjetuar se si do të ishte takimi i tij me njerëzit që kishte lënë në Shën Petërburg. Nga Moska në Shën Petërburg shkruam me tren, i cili ishte i ndarë në kompartimente dhe dhoma gjumi njëkohësisht, sepse ishte udhëtim i gjatë. Në një dhomë ishte Dritëroi me Sadijen, në një tjetër regjisori dhe operatori, dhe mua më qëlloi në një dhomë tjetër.
Tek ajo dhomë hyri një vajzë e re ruse për të fjetur. Dritëroi me humor i thotë asaj në rusisht: “Moikomi është shkrimtar, jo bandit, prandaj mos ki frikë që do flini në një dhomë!”. Ajo nuk e kishte problem këtë gjë, që ishte më se e zakonshme. Në Universitetin e Shën Petërburgut shkuam në sallën ku ai ka marrë leksionet. Një nga pedagogët që ishte dhe studiues i njohur rus i folklorit takoi 23 studentë, të cilët ishin shkrimtarë të njohur dhe na bënë një mbrëmje poetike për nder të Dritëroit që ishte rikthyer. U lexuan poezi në rusisht dhe në shqip të Dritëroit, por ai u prek shumë dhe ishte i heshtur.
Dritëroi aty u takua edhe me djalin e tij që e kishte nga gruaja e parë?
Po, aty Dritëroi takoi pas shumë vitesh djalin e tij. Ai erdhi me bashkëshorten e vet dhe nuk kam parë takim më prekës. Arjani kishte një ngjashmëri shumë të madhe me Dritëroin, ishte një Dritëro i rinisë. Nga emocionet Dritëroi u bllokua dhe për gati gjysmë ore nuk foli fare. Arjani e kishte harruar shqipen se kishte ikur 7 vjeç nga Shqipëria. Unë e pyeta: a di ndonjë fjalë shqip?
Ai mbante mend nënën e Dritëroit, Xhixhenë. “Ku iku macja?”, ishte shprehja shqip që Arjani mbante mend nga gjuha shqipe. Sapo zbritëm në Moskë, gjëja e parë që bleu ishte një konjak gjeorgjian, “Ararac”. “Ky ka qenë më tha konjaku që ka prodhuar gjithë Rusia në atë kohë dhe këtë pinim ne si studentë”. Kur ishim në Shën Petërburg i thashë “Pse rri në hotel, dil se mos takon dhe ato vajzat që ke njohur kur ishe student. Çfarë vajzash më tha unë të parën që njoha me të u martova”.
Libri i tij i fundit, “Prit edhe pak”… Si e shihni nga ana filozofike këtë raport që ai kishte me vdekjen?
Poezitë për vdekjen Dritëroi i ka trajtuar edhe më parë, jo vetëm në vëllimin e fundit. Ai e shikonte poetikisht vdekjen. Është një mendim për të provuar se ç’koncept ke ti për jetën. Nuk besoj se ai kishte ndonjë frikë nga vdekja. Përkundrazi, ai e ka jetuar vdekjen dhe për hir të së vërtetës ka qenë shtruar disa herë në spitale, ku unë kam qenë bashkë me të, e shikoja që ai bënte shumë shaka me mjekët. Poezitë e fundit kanë një mendim filozofik për gjërat kalimtare që ikin, kalojnë, ndërsa ato të përjetshmet mbeten.
Mua më vjen mirë që Dritëroi nuk i mohonte bindjet e veta. Madje, edhe në ato që ai i quan epitafe, e thotë se aty do të dergjet një ishkomunist. Ai nuk bëri redaktim të jetës dhe bindjeve të tij. Nuk kam dëgjuar që të krijonte alibi e pranonte që kishte kënduar ato poezi dhe poema, i bindur për ato që kishte shkruar. Ai mbetet një shkrimtar që ka jetuar dy epokat e socrealizmit dhe kapitalizmit kaotik të sotëm dhe vepra e tij letrare është një fotografim real i kohës kur ka shkruar.
Fakti që Dritëro Agolli u vlerësua njëlloj si para edhe pas ’90 tregon se ai ka qenë i vërtetë në ato që thoshte dhe shkruante?
Dritëroi nuk bëri konvertim in extremis të pikëpamjeve të tij. Pikëpamjet e tij ishin një evoluim drejt një të majte demokratike, por nuk kaloi në një mohim in extremis që do të ishte më pas i pabesueshëm. Ai ka qenë i besueshëm me qëndrimet e tij. Ai nuk bëri apologji të jetës dhe krijimtarisë së tij. Dritëroi e jetoi jetën e tij siç donte, ka takuar njerëz që shumë shkrimtarë që hiqen si elitarë nuk e kanë bërë dot, se i mungon ana njerëzore.
Si e shpjegoni faktin që politikanë të majtë dhe të djathtë, kur kanë ardhur në pushtet, duket se kanë marrë një bekim prej Dritëro Agollit?
Këtu unë dua të tregohem pak skeptik. Ata kanë pasur nevojë për emrin dhe figurën e Dritëroit. Politikanët kanë mandat të përkohshëm, ndërsa Dritëroi, si shkrimtar dhe njeri, ka mandat të përjetshëm. Nuk është se politikanët e kanë vlerësuar me këtë rast Dritëroin, e kundërta ka ndodhur, ata kanë dashur të shfrytëzojnë emrin e mirë të Dritëroit. Brenda vetes së tij, Dritëroi nuk ka pasur ndonjë besim të madh për politikanët tanë, ai kishte pengje të mëdha për politikën tonë. Ata kanë dashur ta shfrytëzonin për interesa të tyre figurën e Dritëroit.
/b.d