Nga Ben Andoni
Heqja e murit në veri të qytetit të Mitrovicës në ditë-pushim ka qenë një nga gjërat e pritshme në Kosovë. Paçka se për të kishte një rezolutë të Kuvendit kosovar, kurse pala lokale serbe shprehej kategorikisht se ajo nuk prishej, fakti është se ajo nuk gjendet më aty. Në fakt, ashtu si e kemi parashikuar para pak ditëve, një ndalesë tjetër do bëhet pak më tej. Do jetë më ‘tërheqëse’ nga ana arkitektonike, por sërish një ndalesë.
Për qeveritarët kosovarë, që në orët e fundit, kanë komplimentuar njëri-tjetrin, ky mund të quhet një sukses. Ashtu si edhe për drejtuesit lokalë serbë të Veriut, që kanë marrë lavdet e strukturave evropiane.
E njëjta logjikë ndoqi historinë e trenit. Pala serbe e ndaloi vetë, pala kosovare bën zhurmën dhe presionin ndërkombëtar dhe në fund e trajton me bujë fundin. Të dyja palët vetë-lavdërohen.
Ajo që vëren në të dyja ngjarjet e fundit është se gjërat duken të kalkuluara mirë nga Beogradi, për t’u kujtuar zyrtarëve të Brukselit se Serbët mund edhe të bëjnë por edhe të zhbëjnë, por asnjëherë të tërhiqen pas. Ndërkohë që pala kosovare, që është në shtetin e vet, njohur edhe ndërkombëtarisht, i duhet të përballet gjithnjë me pasojat. Dhe, për çudi Brukseli i toleron të gjitha me retorikën e zakonshme për dialogun.
Kjo e fundit prej ditësh, muajsh, vitesh po bllokon zhvillimin normal ekonomik të Kosovës, ndërsa i jep karburant zjarrit të brendshëm në vend. Konflikti mes Opozitës dhe Pozitës kosovare tashmë është institucion në vetvete, por edhe një arsye më shumë sepse projekti Kosova po shikohet si një prag-dështim.
Brukseli tashmë ka probleme të mëdha dhe serioziteti për mbarëvajtjen për dialogun nuk është kurrsesi si shitet në audiencat serbe dhe kosovare nga liderët reciprokë të tyre. Ai është thjesht një detyrë që burokratët e Brukselit e bëjnë me bezdi, por ndërkohë edhe duke i lëshuar e lëshuar pe Serbisë.
E fundit është inkurajimi i saj për Asociacionin, nëpërmjet shefes së Zyrës të BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova. Kjo do të thotë se të tjera andralla parashikohen për Kosovën pasi Opozita jo vetëm është kundër themelimit të Asociacionit me Shumicë Serbe, por ka lajmëruar protesta.
Aman Brukseli e ka në marrëveshjen e vet, atë që justifikon punën e saj, e mu atë që palët nuk e bëjnë transparente për shoqëritë e tyre. Jo më kot, një pjesë e kësaj marrëveshje është cilësuar se nuk shkon në përputhje me Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese kosovare, e cila ka kërkuar që në hartimin e Statutit të Asociacionit të merret për bazë vendimi i saj.
E ndërsa qeveria e Kosovës lavdërohet, qeveria e Serbisë s’ka kohë. Ajo i ka dhënë ultimatum Kosovës të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, jo më larg se Sretenje (15 shkurt), duke cilësuar se në rast të kundërt një hap të tillë do ta bëjnë vetë! Kurse zyrtarët lokalë në Veri kanë paralajmëruar edhe faktin që barriera do bëhet pak më tutje, e sërish duke vazhduar idenë e parë! Ashtu si autoritetet serbe mëtojnë se treni sërish do iki në Kosovë. Kalkulime të qarta, që s’ka kthim.
A po fiton Kosova nga e gjithë kjo apo po trandet? Presioni serb, mbështetur me atë të BE-së dhe pohimin e kryeministrit kosovar për krijimin e tij, po tregon se Kosova është realisht në pozicionin ku mbi të po përfitojnë paq. (Javanews)