Qindra qytetarë dhe personalitete të shquara të politikës dhe artit përcollën sot për në banesën e fundit, shqiptarin e madh Dritëro Agolli.
Duke sjellur në vëmendje fragmente kujtimesh me shkrimtarin, ata e cilësuan veprën e tij të fundit “Prit dhe pak” si një mesazh se ai kishte ende për të dhënë.
Ceremonia e homazheve në Pallatin e Kongreseve ka zgjatur gjysmë orë më shumë sesa ishte parashikuar ndërsa trupi i pajetë është përcjellë drejt Tufinës, ku Agolli do të prehet përgjithmonë.
***
Të pranishmit kanë duartrokitur arkivolin e Dritëro Agollit në shenjë respekti për kontributin e pazëvendësueshëm që ka dhënë për kulturën dhe si shenjë mirënjohje për mendimin e mençur të shkrimtarit, politikanit, përkthyesit dhe plakut të urtë./javaneës/b.d
Ka qenë ministrja e Kulturës ajo që ka mbajtur fjalën e para në ceremoninë e homazheve në Pallatin e Kulturës.
“Ti vendose të ikësh, por prit dhe pak. Kështu titullohet edhe libri yt i fundit” – kështu e nisi fjalën Mirela Kumbaro ndërsa tha se shkrimtari është tallur në veprën e tij me vdekjen.
“Nuk do ta përmend këtu sesa tallaze ke sjellë. U tundën rrjetet sociale sikur të kishte përmbytur lumi Devoll. Me ty Dritëro mund të flitet vetëm për jetën. I dhe shpirtin jetës dhe i more poezinë. Atë jetë që ti e mbushe në një tjetër lloj. Ti zgjodhe poezinë si burim jetese, në një ushqim të përditshëm për të mbajtur shpirtin gjallë. Dhe nuk mbajte gjallë vetëm shpirtin tend” – tha ndër të tjera ministrja e Kulturës.
Nga ana tjetër, kreu i Kuvendit e ka cilësuar si një filozof të zotë Dritëro Agollin.
“Ai ishte Naimi që i këndoi dheut të Shqipërisë, Noli mendjendritur dhe Lasgushi i dashurisë. Ai ishte dera ku trokisnim për një mendim të mençur dhe që kundërshtarët e donin pa kushte. Pa Dritëroi, sot Shqipëria është më e varfër. Ai e ndërtoi vetë bronzin e monumentit të tij sepse Dritëroi është madhështia e thjeshtësisë” – tha Ilir Meta.
Në Pallatin e Kongreseve qindra qytetarë dhe personalitete kanë mbushur sallën ku ndodhet trupi i pajetë i shkrimtarit, për të mbajtur përshëndetjet e fundit me të.
Ish-presidenti Alfred Moisiu kujtoi nga Dritëro Agolli takimin e parë, por edhe bisedën fundit. Moisiu e nisi fjalën e tij me një nderim ushtarak para portretit të shkrimtarit.
“Jam dakord me mendimin e Dritëroit “prit dhe pak”, por do të shtoja se vërtetë shqiptarët kanë nevojë për fjalën tënde. Sepse të tillë janë kohërat që po kalojmë. Me Dritëroin unë jam njohur në vitin 1958 në Shtëpinë e Shkrimtarëve. Dua të them se ke pasur një zemër të madhe. Bisedën e fundit e bëmë në tetor kur të telefonova për ditëlindjen. Ai edhe pse nuk ishte mirë, u përgjigj dhe foli për semundjen e profesor Uçit. Është e rrallë të mendosh për njërëzit e tjerë kur je vetë i sëmurë” – tha Alfred Moisiu.
Ndërkohë, edhe Mysafer Korkuti mbajti fjalën e tij në emër të Akademisë së Shkencave.
“Ne ishim me fat që jetuam në një kohë me ty, që patëm pranë Naimin e kohëve moderne. Ndoshta Shqipëria nuk qe siç e donte zemra jote, por ti na mësove të përballojmë sfidat që jeta na vë përpara. Vepra jote është dëshmi e artit të madh njerëzor. Ti ishe një partizan i vogël antifashist dhe gjete sërish shpresë për t’i dhënë vendit edhe kur u ngjalle si feniks. Akademia e Shkencave ishte shtëpia dhe dhimbja jote. Ne nuk do të harrojmë atë porosi që kemi marrë prej teje. Lamtumirë Dritëroi ynë i shtrenjtë. Do të jemi mirënjohës për veprën tënde që e duan punëtorët dhe akademikët, shqiptarët dhe të huaj” – tha Myzafer Korkuti.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij me vargjet e shkrimtarit. Ai tha se Dritëroi i është drejtuar vdekjes me “Ti” jo rrallë herë.
“Qysh kur e kam parë në rininë time, më është dukur si i zbritur nga diku lart. Gjithnjë qënia e tij e largët që jetonte brenda personazhit qëndror, na shfaqet hera herës përmes vargjesh” – tha Rama ndër të tjera.
Sipas Ramës, Dritëro Agolli iku pasi i tha të gjitha.
“Në këtë sallë Dritëroi ka dhënë shfaqjen më emocionuese të jetës së tij të ndarë mes këtëj dhe andej portës së kyçur me lloze. Qënia e tij e jetuar mes robit të natyrës dhe personazhit robërues të skenës publike në një kohë kolere për lirinë, lëshoi këtu 26 vjet më parë një klithëm historike” – tha Rama referuar fjalimit të Agollit në kongresin e 10 të PPSH.
Publicisti Preç Zogaj kujtoi historinë e disa viteve më parë , histori kjo sa prekë se aq dhe reale.
“Vite më parë në rrugicë n e lagjes më ndaloi një pensionist me një gazetë në dorë ku flitej pë r skemat piramidale. Më pyeti në se e takoj Dritë roin. Pasi i thashë se po, më tha: Vë re në dijeni se po shitet Shqipë ria. Pasi më pyeste pë rditë , e pyeta: Po sikur të mos i them Dritë roit, por t’ia themi dikujt tjetë r? Jo tha, kë të do ia thuash Dritë roit. Vetë m atij i dhemb Atdheu” – tha Preç Zogaj.
“Dritëroi ishte shëmbëlltyrë e ndritur e një Shqipërië që ne e harrojmë, e Shqipërisë letrare. Ajo është Shqipëria e injoruar, por e patjetërsueshme. Një shëmbëlltyrë shkrimtari si Dritëroi Agolli ka gjithmonë një burim që nuk ndalet për emancipimin e vendit. Unë mendoj se shkrimtarë si Agolli që kultivoi poezinë shtohen atje që quhet Qyteterimi i Kujtesës” – tha studiuesi Moikom Zeqo.
***
E shoqëruar nga familjarët, makina e shërbimit funeral ka ndaluar në hyrje të godinës në fjalë, ndërsa dhjetëra qytetarë ishin mbledhur që herët në mëngjes për të pritur shkrimtarin e ndarë nga jeta.
Ndërkohë, për t’i dhënë lamtumirën Agollit kanë mbërritur të parët krahas qytetarëve edhe diplomatët e huaj në vendin tonë. Kanë qenë ambasadori rus, ai serb dhe Donald Lu që kanë zhvilluar homazhe ndër të parët pranë trupit të pajetë të shkrimtarit të madh.
Komisioni Shtetëror ka parashikuar që homazhet të zhvillohen ditën e sotme nga ora 10:30-13:00.
Krahas mijëra qytetarëve dhe politikanëve vendas, pritet që Agolli të përcillet edhe nga personalitete si Ismail Kadare, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Limoz Dizdari dhe akademikët Ali Aliu, Rexhep Ismajli, Luan Starova, etj.
***
Kanë nisur homazhet në nder të kolosit të letrave shqipe, Dritëro Agolli, i cili u nda nga jeta ditën e premte. Në Pallatin e Kongreseve, familjarë, të afërm, personazhe të politikës, kulturës, miq, dashamirës, janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit Agollit.
Këshilli i Ministrave vendosi një ditë më parë krijimin e Komisionit Shtetëror Bashkërendues të Punës për organizimin e aktiviteteve të ceremonialit të homazheve mortore të shkrimtarit Dritëro Agollit.
Ministria e Kulturës njoftoi se vendimi u mor në shenjë respekti për shkrimtarin e madh të letërsisë shqipe, që u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 85 vjeçare për shkak të një sëmundje në mushkëri.
Ceremoniali do të përmbajë një nderim të veçantë për shkrimtarin duke krijuar dhe hapësirën e mundësinë për të afërmit, miqtë, njerëz të artit dhe të kulturës, lexues apo dashamirës, të marrin fjalën për një mesazh të shkurtër publik lamtumire.
Jeta e Dritëro Agollit
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 ne Tiranë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjìmnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare. Ajo na bën të ndihemi me dinjitet përballë botës së madhe. Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Më shumë përvoja e tij krijuese, se traktatet teorike, bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike.
Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.Në moshën 85 vjeçare ndahet nga jeta me një semundje kronike ne mushkri.Ai do të mbetet një nga figurat më të shquara të penës shqiptare.
Krijimtaria
Për nga gjinitë, krijimtaria e Dritëro Agollit është e larmishme. Në vjershat dhe poemat e Dritëro Agollit gjejnë shprehje mendimet dhe ndjenjat e njeriut të ri, patriotizmi dhe besnikëria ndaj idealeve revolucionare, cilësitë e tij morale në jetë dhe në punë (Devon, Devoll, Poemë malore, Hapat e mia në asfalt etj.).
Vepra e tij poetike më e shquar është Nënë Shqipëri (1975), ku krijohet figura e Atdheut me traditat heroike, me vështirësitë e shumta që ndeshi në rrugën e vet dhe me vendosmërinë për të përballuar çdo pengesë e armik. Në poemën Baballarët theksohet rëndësia e veçantë e vijimësisë së traditave revolucionare në jetën e shoqërisë. Në një sërë vjershash dhe poemash Dritëro Agolli pasqyron frymën heroike të periudhës së Luftës ANÇ (Poema e udhës, Poemë për babanë dhe për vete etj.).
Në prozë bëri emër sidomos romani Komisari Memo (1969), në të cilin pasqyrohet roli i madh edukues dhe drejtues në vitet e Luftës ANÇ. Nga ngjarjet e kësaj periudhe e merr subjektin edhe romani Njeriu me top (1975), që flet për ndikimin e luftës çlirimtare në mentalitetin e njerëzve. Dritëro Agolli ka botuar edhe mjaft tregime e novela nga jeta e sotme. Ndër krijimet satirike romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo (1973) vë në lojë konformizmin, servilizmin dhe vanitetin si shfaqje të huaja për njeriun e ri.