Besart Berisha vazhdon të jetë protagonisti absolut i kampionatit australian të futbollit me golat e tij, apo edhe me faktin se në një mënyrë apo një tjetrën, tërheq vëmendjen e kundërshtarëve.
Në derbin e Melburnit, ku Viktori mundi Sitin me rezultatin 2-1, sulmuesi shqiptar ishte protagonist me një penallti të humbur, një gol të shënuar dhe një zënkë me portierin kundërshtar i cili lëshoi fyerje raciste ndaj tij.
Berisha humbi një penallti në minutën e 63-të dhe vetëm pak minuta më vonë, Siti kaloi në avantazh. Futbollisti shleu gabimin në minutën e 84-t kur dërgoi topin në rrjetën e portierit Buzanis.
Vetëm dy minuta më vonë, një pasim për sulmuesin shqiptar, u devijua në rrjetë nga një mbrojtës i Sitit, duke i dhënë avantazhin 2-1 dhe më pas fitoren skuadrës së Berishës.
Por këtu plasën edhe polemikat. Berisha mori topin nga rrjeta dhe ia hodhi portierit Buzanis, ndërsa ky i fundit, një ish-futbollist i kombëtareve të moshave të Greqisë, filloi të shante sulmuesin shqiptar duke e quajtur mes të tjerave edhe “cigan”, transmeton Panorama Sport.
Gjyqtarët nuk e panë këtë episod, por parashikohet që Buzanis të dënohet për këto fyerje raciste.
Kurse edhe tifozët përmes rrjeteve sociale kanë reaguar për këtë rast, duke kërkuar dënimin e portierit grek, citohet Express. (b.an)