Përvoja e deritanishme për aplikimet në institucionet e reja të drejtësisë apo dorëzimin e formularëve për Vettingun ka treguar se veprimet janë kryer në orët e fundit të skadimit të afatit. Megjithatë, për të nxitur pjesëmarrjen, thirrjes së Avokatit të Popullit, i është bashkuar edhe ambasadori amerikan Donald Lu. Në faqen e ambasadës në “Facebook”, ambasadori ka postuar një thirrje për shqiptaret patriotë, të kualifikuar që të aplikojnë për të shërbyer në komisionet e Vettingut.
Kriteret ligjore për të qenë kandidat janë 11. Ato hapen me kushtin e parë, diplomimin si jurist dhe përshkallëzohen me standardet shumë të larta profesionale dhe morale të kandidatëve. Pjesë e kërkesave është edhe vjetërsia në punë në fushën e të drejtës, të mos ketë qenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit, të mos ketë qenë anëtar apo bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit, të mos jetë mbi 65 vjeç, si dhe të njohë shumë mirë anglisht që, në fakt është edhe një kërkesë kushtetuese, për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me operacionin ndërkombëtar të Monitorimit.
Kandidatët për organet e Vettingut, nëse zgjidhen, duhet të përmbushin edhe një kusht shtesë nga njerëzit e tjerë të drejtësisë. Komunikimi i tyre me telefon dhe çdo mjet tjetër elektronik duhet t’i nënshtrohet monitorimit të vazhdueshëm nga Byroja Kombëtare e Hetimit. TCH