Grupi Keshillimor i Stabilitetit Financiar (GKSF), në mbledhjen që zhvilloi të merkuren me pjesëmarrjen e ministrit të Financave, Guvernatorit të BSH-së, Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave dhe përfaqësues të tjerë të këtyre institucioneve, u shpreh se qëndrushmëria financiare në vend është e garantuar.
Në një njoftim për shtyp, Ministria e Financave bëri të ditur se mbledhja iu kushtua analizës së veprimtarisë së sektorit bankar dhe sistemit financiar, si dhe vlerësimit të ndikimit të mundshëm prej zhvillimeve në Eurozonë dhe posaçërisht në Greqi.
GKSF theksoi se po ndjek me vëmendje të veçantë zhvillimet në Eurozonë dhe posaçërisht ecurinë e negociatave mes Greqisë dhe institucioneve kreditore. Në vijim të dështimit për arritjen e marrëveshjes brenda qershorit 2015, mbyllja e bankave dhe e lëvizjeve të kapitalit në Greqi përfaqësoi një veprim të jashtëzakonshëm, por jo të papritur. Si rezultat, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera anëtare të GKSF-së intensifikuan veprimtarinë mbikëqyrëse dhe kanë zgjeruar shkëmbimin e informacionit mes tyre dhe me institucionet financiare ndërkombëtare.
Gjithashtu, janë testuar në mënyrë të vazhdueshme dhe konservatore, si dhe është rivlerësuar ecuria e treguesve të shëndetit financiar të bankave shqiptare me kapital grek (BSHKG) dhe të sektorit bankar në tërësi kundrejt skenarëve të ndryshëm, si dhe është rivlerësuar plotësia dhe gatishmëria e kuadrit të instrumenteve për ruajtjen e stabilitetit financiar.
GKSF theksoi se zhvillimet më të fundit në sektorin bankar në Greqi, kanë vënë në provë dhe kanë vërtetuar aftësinë e BSHKG-ve për të zhvilluar normalisht veprimtarinë dhe për të plotësuar pa probleme detyrimet e tyre kontraktuale. GKSF vlerësoi se treguesit e mirë të likuiditetit dhe të kapitalizimit të BSHKG-ve, si edhe mungesa e ekspozimit dhe ndërprerja e transaksioneve të tyre me grupet bankare zotëruese, kanë neutralizuar kanalet e mundshme financiare për ndikimin e BSHKG-ve nga zhvillimet në sektorin bankar të Greqisë.
Nga ana tjetër, flukset e transaksioneve në sektorin bankar janë shoqëruar me rritjen e nivelit të përgjithshëm të depozitave, duke reflektuar qëndrueshmërinë e besimit të publikut ndaj gjendjes dhe ecurisë së veprimtarisë bankare në vend.
GKSF beson se rinisja e negociatave me Greqinë, pas referendumit të datës 5 korrik, është shpresëdhënëse për gjetjen e një zgjidhjeje që, mes të tjerash, do të ruante qëndrueshmërinë e sektorit bankar atje. Megjithatë, në këtë fazë, të gjithë skenarët janë të mundshëm. Në këtë kuadër, GKSF vlerëson se, pavarësisht mënyrës së zhvillimit të ngjarjeve në Greqi, masat e marra deri tani ofrojnë një mbrojtje efektive për përballimin e rreziqeve nga ana e sektorit bankar në vendin tonë. Mbështetur në kapacitetin e plotë për të rregulluar dhe mbikëqyrur veprimtarinë e të gjitha bankave në vend, Banka e Shqipërisë dhe anëtarët e tjerë të GKSF-së, do të ndërmarrin çdo veprim tjetër të nevojshëm për t’iu përgjigjur zhvillimeve të situatës dhe për të ruajtur në çdo rast qëndrueshmërinë dhe performancën e sektorit bankar dhe të të gjithë sistemit financiar në vend, thuhet në njoftimin e MF-së. ATA*