Lindita është ndër të vetmet shqiptare që ia ka dalë të kthehet me një çmim nga “Miss Universe”. Bukuroshja është shpallur “Miss Fotozhenia” nga juria e këtij kompeticioni kaq të rëndësishëm. Për suplementin “Bluetooth” në Gazeta Shqiptare, kjo bukuroshe rrëfen sesi ka qenë kjo eksperiencë. Sipas Linditës, edhe pse të shumta ishin ato vajza që e njihnin vendin tonë, ajo është përpjekur t’ia u sjellë atyre edhe njëherë nëpërmjet traditave dhe kulturës sonë. Tashmë me një çmim të rëndësishëm dhe me eksperiencën ndër vite si modele, ajo është gati të prekë pasarelat ndërkombëtare, por pse jo, t’i hyjë edhe botës së ekranit.
Lindita, ktheheni nga “Miss Universe” me një çmim, si ishte ky moment?
Në fakt çmimi “Miss Fotozhenia” nuk është dhënë në spektakël, pasi nuk ka pasur kohë televizive. Gjithçka ka nisur me vonesë atë ditë dhe ka mbaruar me shumë vonesë, pasi spektakli duhet të mbaronte shpejt, të rregullohej e të transmetohej në Amerikë në kohën e duhur, në orën 8 në darkë. Dhe siç e thashë edhe më lart, spektakli ka nisur me vonesë e ka mbaruar me vonesë dhe jurisë i është dashur që çmimin tim dhe çmimin e miqësisë t’i japë e t’i publikojë në rrjetet sociale.
E prisnit të shpalleshit “Miss Fotozhenia”?
Jo, nuk e prisja aspak. E kam marr vesh në mëngjes kur jam zgjuar nga miqtë e të afërm, që ma kanë dërguar lajmin e publikuar. U gëzova për faktin që ata midis shumë shteteve ma dhanë mua këtë çmim, sepse unë vërtet jam munduar shumë e kam dhënë maksimumin tim që të merrja edhe më shumë, por që ata ketë kishin vendosur. Dhe për mua e rëndësishme është që kam bërë që Shqipëria të përmendej dhe midis shumë shteteve të tjera, ka rënë në sy nga stafi dhe juria e “Miss Universe” dhe nuk dola pa çmim, për këtë ndjehem shumë mirë.
Sa u fol në mediat ndërkombëtare për këtë çmim tuajin?
Është përfolur shumë sigurisht, pasi fitueset janë publikuar kudo në rrjetet sociale tek “Miss Universe” e është bërë lajm në Filipine, në Amerikë, në Francë në Shqipëri, Kore dhe Myanmar, në shtetet që vajzat kanë fituar çmimet.
Si ishin vajzat e tjera që merrnin pjesë?
Shumica e vajzave ishin shumë të mira, kishte vajza shumë të bukura, që përfaqësonin vendin e tyre si Venezuela, Australia, Republika Domenikane, Meksika. Ishin edhe shumë të sjellshme.
Po fituesen, si e ka parë Lindita?
Në të vërtetë për “Miss Francën” nuk e kisha menduar asnjëherë që do e fitonte, se konkurrenca ishte shumë e madhe. Ka pasur shumë vajza të bukura dhe më të gjata se “Miss Franca”, por që fati ka qenë në anën e “Miss Francës” dhe e fitoi.
A diskutuat ju me vajzat pjesëmarrëse në vendet e tjera, e njihnin Shqipërinë?
Shtetet e Europës e njihnin Shqipërinë, por kishte edhe shtete që nuk na njihnin. Unë u kam folur shumë për Shqipërinë vajzave, stafit dhe në intervista kam treguar për traditat, për kulturat tona. Jam munduar t’u tregoj për njerëzit, që jemi të dashur e mikpritës, për fetë tona që janë për t’u marrë shembull në çdo vend në botë, pasi ne nuk bëjmë dallime midis feve. Ne edhe martohemi me fe jo të njëjtë dhe që për ne më shumë rëndësi ka njeriu dhe karakteri i tij.
A vlerësohen vajzat e bukura jashtë Shqipërisë?
Sigurisht që vlerësohen, e bukura dhe e veçanta vlerësohet gjithmonë, kudo në botë.
Për çfarë do t’ju shërbejë ky çmim?
Ky çmim më ka bërë që unë të përmendem më shumë jashtë Shqipërisë dhe tani që kam një emër, e kam më të lehtë për të punuar jashtë vendit tim.
Ndodh edhe në një kompeticion si “Miss Universe” që fituesja është e paracaktuar?
Paracaktohen vajzat më të bukura, por fituesja mendoj se zgjidhet 2 ditët e fundit para spektaklit.
Pas suksesit në pasarelat, ku do ta shikojmë Linditën?
Unë kam 3 vite që merrem me modeling dhe më kanë punësuar shumë si modele. Kjo më ka rritur besimin në vetvete, që kudo në botë të shkoj unë ia dal shumë mirë po të punoj si modele. Po për mua është shumë e rëndësishme edhe shkolla dhe dua që tani t’i kushtoj pak më shumë rëndësi shkollës e më vonë shpresoj që do të punoj në televizion.
Si është jeta private e një bukurosheje si Lindita?
Jeta ime private është normale.
Cila është vlera që e zhvesh nudo Linditën para objektivit të aparatit fotografik?
Nuk ka vlerë, pasi nuk kam menduar asnjëherë dhe nuk mendoj se do e bëj ndonjëherë.
Keni menduar të largoheni nga Shqipëria për të bërë karrierë jashtë kufijve?
Po sigurisht, ky ka qenë synimi im që në fillim të karrierës dhe jam shumë e sigurt që ia dal edhe në vende jashtë Shqipërisë, siç ia kam dalë në Milano. Atje kam punuar 1 vit si modele dhe nga kjo kam krijuar besim në vetvete që ia dal kudo në botë si modele. Pasi në Milano kam qenë një modele e kërkuar.