Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Blendi Klosi pa sot nga afër situatën në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, pas ngjarjes së bërë publike në media, ku një nga edukatoret e këtij institucioni dhunonte fëmijët e strehuar në të. Për këtë qëllim, ai ka zhvilluar fillimisht një takim me stafin e këtij institucioni, ku dhe u njoh më në detaje mbi ngjarjen në fjalë dhe situatën e përgjithshme që ekziston në këtë institucion. Më pas ai vizitoi edhe ambientet e brendeshme të Shtëpisë së Fëmijës Shkodër, ku dhe takoi fëmijët e strehuar në këtë qendër, si dhe inspektoi kushtet në të cilat ata jetojnë.
Në një deklaratë për mediat, ai do të shprehej se ndihej i trishtuar për atë që kishte ndodhur në këtë qendër, ndërsa falënderoi edhe median që e denoncoi këtë rast. “Ajo që ndodhi në qendrën e jetimëve socialë këtu në Shkodër është një ngjarje shumë e trishtë, ngjarje që trishton dhe revolton jo vetëm ata që e panë, por gjithë qytetarët e këtij vendi dhe qytetarët e përgjegjshëm, jo vetëm administratorët publikë, por edhe ne si prindër, duke menduar si për fëmijët tanë për mënyrën sesi fëmijët u keqtrajtuan nga një staf me problematikat e veta. Prandaj e them fare sinqerisht që gjithsecili prej nesh mban përgjegjësitë e veta”, – tha për mediat ministri Blendi Klosi.
Më tej ai bëri të ditur se, përveç pushimit nga puna dhe kallëzimit penal në prokurori të tre punonjësve të kësaj qendre që ishin prezentë në ngjarjen e dhënë në media, kishte vendosur edhe për shkarkimin e drejtoreshës së kësaj qendre, Anjeza Gjeluca. “Sot isha në takim me stafin e këtij institucioni, duke kërkuar marrjen e masave për shkarkimin e drejtoreshës së këtij institucioni dhe për zëvendësimin e saj deri në një moment kur ne duhet të kuptojmë fare qartë se çfarë ndodhi”, – tha ministri Klosi.
Ai gjithashtu ka theksuar se për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla, kishte kërkuar nga Shërbimi Social që të ketë kontrolle si dhe teste të rrepta për të gjithë stafin dhe personelin e këtyre institucioneve. “Kërkova dhe do vazhdoj ta kërkoj për të gjitha institucionet ku vazhdon të jepet shërbim social, test shumë të rreptë për të gjithë edukatorët, test shumë të rreptë për çdo punonjës të shtetit shqiptar që merr përsipër një detyrë kaq fisnike sa përkujdesja për fëmijët jetimë apo për fëmijët me probleme të ndryshme. Ajo që është bërë deri tani ka qenë një test i rrejshëm, pasi nuk mendoj se edukatorë të cilët mund ta kalojnë një test kaq shumë të mirëpërcaktuar të bëjnë ngjarje si ajo që u dha në media”, – u shpreh ministri Klosi në fjalën e tij.