Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka reaguar në lidhje me humbjen e Dritëro Agollit dhe përmes një mesazhi në rrjetin e tij social ka shkruar se vdekja e tij ka prekur të gjithë kombin shqiptar. Thaçi shton se letërsia shqipe ka humbur njërin prej titanëve të tij më të mëdhenj.
POSTIMI:
Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Dritëro Agollit.
Para disa muajve pata një takim të ngrohtë me Dritëron në Tiranë, me shkrimtarin, poetin dhe intelektualin e shquar kombëtar që pas vete la një trashëgimi të madhe shpirtërore.
Ai ishte autentik në krijimtari artistike, por edhe në bindjet e tij politike.
Bota shqiptare në veprën e tij letrare u trajtua estetikisht me dimensione të thella, duke shpërfaqur fatin e njeriut tonë, jetën, vdekjen, punën e mbi të dashurinë ndaj atdheut.
Kultura shqiptare mbeti pa njërin nga titanët e mëdhenj.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Agolli! HTH