Kryetari i LSI-së, Ilir Meta gjatë një takimi me strukturat e njësive administrative Farkë, Baldushk, Petrelë, Bërzhitë dhe Krrabë, deklaroi se Shqipëria ka nevojë për qetësi, normalitet, debat, por jo për sherr e konflikt pafund.
Gjatë takimit, ku u zgjodhën delegatët për në Konventën Zgjedhore të Bashkisë Tiranë, Meta tha se Lëvizja Socialiste për Integrim është një lokomotivë integruese për vendin përmes përkrahjes dhe nxitjes së reformave të qëndrueshme që e çojnë vendin në mënyrë të sigurt drejt anëtarësimit në BE.
Shqipëria ka nevojë për qetësi dhe normalitet, vijoi Meta, ka nevojë për arsye dhe debat, por jo për sherr e konflikt pafund. Ndaj njerëzit e duan LSI-në, sepse e shohin si një forcë të madhe të stabilitetit të vendit, të normalitetit të vendit dhe funksionimit të institucioneve”, deklaroi ndër të tjera kryetari i LSI-së.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim është alternativa më e mirë për vendin dhe për qytetarët.
“Kam bindjen maksimale që LSI është alternativa më e mirë, sepse LSI ofron stabilitet, mirëqenie dhe bashkëpunim, por mbi të gjitha LSI është pranë qytetarëve”, deklaroi Braimllari.
Gjithashtu, gjatë këtij takimi u shpërndanë kartat për 700 anëtarësime të reja në njësitë administrative Farkë, Baldushk, Petrelë, Bërzhitë dhe Krrabë. /b.d