Ministri i IT në shtetin e Indisë Karnataka, Priynak Kharge ka thënë se Apple së shpejti do të fillojë të prodhojë iPhonat në këtë shtet, transmeton koha.net.
Kharge ka thënë për Bloomerberg News, se prodhimi i iPhone do të bëhet në kryeqytetin Bangalore, që zyrtarisht njihet si Bengalaru, që nga fundi i prillit.
Apple thuhet se do të bashkëpunojë me prodhuesin Tajvanez, Wistron dhe do të prodhojë iPhona për operatorët e saj indian.
“Synimet e Apple për të prodhuar iPhona në Bengaluru do të nxisë zhvillim teknologjik dhe të ekosistemit”, ka thënë ministri i IT, Kharge.
Apple, e cila së fundi raportohej se është duke negociuar me qeverinë Indiane për përjashtim të taksave dhe stimuj të tjerë, ende nuk ka komentuar mbi këtë.
“Ndihem me të vërtet mirë për mënyrën se si po ia dalim [në Indi]”, ka thënë shefi i Apple, Tim Cook, duke komentuar fitimet rekorde të shënuara gjatë kësaj jave në këtë shtet.
Apple ende ka shumë pak shitje në tregun e Indisë, pasi çmimi i pajisjeve të tyre është shumë i lartë për shumicën e konsumatorëve. Por me një popullatë prej 1.3 miliardë njerëz, ky shtet shihet nga Apple si një nga tregjet më të rëndësishëm në rritje, në termet afatgjate, përgatiti Express. (b.an)