Federata Italiane e Futbollit, ka njoftuar se të hënën në 6 shkurt do të dalin në shitje biletat e ndeshjes Itali-Shqipëri. Kjo sfidë luhet në 24 mars, në Palermo, në stadiumin “Renxo Barbera”, me kapacitet 36 mijë vende. Shqipërisë i takojnë 5 përqind të biletave, pra rreth 2 mijë vende në sektorin e miqve. Çdo biletë kushton 12 euro. Qytetarët shqiptarë, jo me banim në Itali duhet të aplikojnë për blerje vetëm nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit.
Italia dhe Shqipëria do të takohen në “Renxo Barbera” për eliminatoret e grupit G për Kupën e Botës “Rusia 2018”. Ky është takimi i dytë mes dy vendeve pas miqësores së luajtur në Xhenoa më 18 nëntorit 2014, dhe që u fitua nga vendasit 1-0.
Për kombëtaren italiane Palermo konsiderohet si qytet me fat pasi në të numërohen 13 takime të luajtura me një bilanc 11 fitore, 1 barazim dhe një humbje. Italia ndodhet në krye të grupit G bashkë me Spanjën me 10 pikë. Ndërsa Shqipëria në vendin e katërt pas Izraelit me 6 pikë në 4 takime. /b.d