Ditën e martë, Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore në Uashington miratoi një hua prej 70 milionë dollarësh për Shqipërinë, para që do të përdoren për të rritur në mënyrë të ndjeshme potencialet e Shqipërisë për të përthithur investitorë të huaj.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Tahseen Sayed theksoi se pas tre vitesh të vështirë të konsolidimit të financave shtetërore, tashmë Shqipëria është e gatshme që të hedhë një hap të madh përpara.
“Pas stabilizimit të ekonomisë, është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria të ketë edhe kuadrin e duhur ligjor për investitorët dhe një mjedis sa më miqësor për biznesin në mënyrë që të tërheqë dhe mbajë investime që sjellin rritje më të shpejtë dhe vende pune të krijuara nga sektori privat, vecanërisht për të rinjtë dhe gratë,” tha Tahseen Sayed, Menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë.
Projekti i financuar nga Banka Botërore do të mbështesë reformat që synojnë të rrisin konkurrueshmërinë e vendit nëpërmjet përmirësimit të regjimit të investimeve, bërjes më të lehtë të aktivitetit të biznesit dhe lehtësimit të tregtisë.
Në renditjen e “Doing Business 2017”, të përpiluar nga Banka Botërore, Shqipëria u rendit 32 vende më lart se viti i kaluar, në vendin e 58, renditja më e mirë historike për vendin tonë. /b.d