Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në Konventën Zgjedhore të Njësisë 1 në Tiranë. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim Meta tha se LSI do të jetë një forcë e kudondodhur për të ndihmuar qytetarët, për t’i mbështetur por edhe për të sjellë optimizmin e duhur.
Kryetari Meta u shpreh se vendi ka nevojë për një energji pozitive që askush më mirë se sa LSI-ja nuk mundet ta përçojë në drejtimin e vendit, në dialogun dhe në bashkëpunimin politik. Kryetari i LSI-së u shpreh se pas 26 vjetësh ka një konflikt të papranueshëm, ndërsa shoqëria kërkon ekuilibër dhe zgjidhje të problemeve.
“Pas 26 vjetësh gjithë kjo urrejtje është një gjë e papranueshme sepse është një konflikt aq artificial që vjen nga lart, që nuk vjen nga poshtë, nga shoqëria e cila kërkon ekuilibër, e cila kërkon zgjidhje të problemeve e jo konflikte”, – theksoi Meta, duke shtuar se LSI është e përqendruar te problemet dhe se ka qëllime strategjike për zhvillimin dhe stabilitetit të vendit dhe për të modernizimin e tij.
Gjithashtu, Kryetari Meta nënvizoi se avantazhi i LSI-së është se ka durim strategjik dhe qëndron për njerëzit.
“LSI është e përqendruar te problemet, LSI ka qëllime strategjike për zhvillimin dhe stabilitetit të vendit dhe për të modernizimin e tij. Avantazhi që ka LSI-ja është që ka edhe durim strategjik, pra ka nerva të çelikta. Ajo që te njerëzit mbetet është mesazhi, që LSI është për njerëzit, qëndron për njerëzit, për punësimin e tyre, për përfshirjen e tyre, është për bashkëpunim me ta”, – deklaroi Kryetari i LSI-së ndër të tjera në fjalën e tij.
ma.me