“Sot po tentohet të bëhet një seancë e zakonshme, por në një vend normal, sot nuk do të kishte qeveri”. Kështu e nisi fjalën e tij në seancën parlamentare Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike, duke iu referuar deklaratave të Ylli Manjanit disa ditë më parë.
“Pas deklaratave të jashtëzakonshme, qeveria duhet të kishte dhënë dorëheqjen ose të ishte në hetim. Kanabizim i vendit, shkelje e Kushtetutës, prokurorë e gjyqtarë që ndiqen nga policia në kundërshtim me ligjin, tendera korruptivë qindra milionë euro që miratohen në mbledhje që nuk ekzistojnë, përdorimi i policisë për të vjedhur zgjedhjet dhe për shantazhe politike… Akuza si këto do të kishin çuar menjëherë në dorëheqjen e qeverisë në një vend normal”, tha Bylykbashi.
Në lidhje me votimin elektronik të kërkuar nga PD-ja, Bylykbashi tha: “Nëse votimi elektronik nuk bëhet, do të thotë që e gjithë platforma juaj për manipulimin e zgjedhjeve do të zbatohet pikë për pikë. Më datë 18 shkurt, sa kohë që qeveria nuk pranon votimin elektronik, shqiptarët do të protestojnë”.
Ndërsa Taulant Balla u përgjigj: “PD-ja e përdor foltoren e Kuvendit për të mbledhur disa njerëz për protesta. Qeveria është në punë dhe kërcënimet e juaja nuk trembin njeri. Qeveria vazhdon të çojë përpara reformat. Po kërkoni alibinë e radhës për humbjen e radhës. Një parti që nuk bën asnjë përgatitje për të hyrë në fushatë zgjedhore e nuk ka gati strukturën minimale të saj, sigurisht që mundohet që me gjoja protesta të bllokojë reformën zgjedhore”.
ma.me