Ministria e Shëndetësisë ka përgënjështruar lajmin se një i sëmurë është lënë 40 minuta pa shërbim mjekësor në mes të rrugës. Në një reagim zyrtar, MSH thotë se autoambulanca ka mbërritur për vetëm 5 minuta në vendngjarje sa i përket rastit në fjalë.
“Në shkrimin me titull: “Video-skandal / I sëmuri 40 minuta i shtrirë në rrugë, shihni sjelljen e policëve dhe mjekëve të ambulancës”, të botuar në portalin “Opinion.al” raportohet se një i sëmurë ka qendruar për afro 40 minuta i shtrirë në rrugë dhe askush nuk i ka dhënë ndihmën e duhur për ta transportuar në spital. E vërteta është krejt ndryshe” – pretendon në njoftimin e saj Shëndetësia.
Sipas institucionit në fjalë, rasti mund të verifikohet nga video e regjistrimit elektronik të shërbimit të urgjencës nëpërmjet sistemit GPS të aktivitetit të lëvizjes në terren të autoambulancës “TR 9925 K Urgjenca e Tiranës”.
MSH shkruan se thirrja është marrë nga centrali i shërbimit të urgjencës mjekësore në orën: 12h38m12s, dhe autoambulanca e shërbimit mjekësor të urgjencës mbërritur në vendngjarje në orën 12h41m51s.
“Pra, siç mund të shihet qartësisht, autoambulancës i janë dashur 5 minuta, dhe jo 40 minuta siç raportohet në shkrimin e sipërpërmendur, për të mbërritur në vendodhjen e personit në nevojë pas marrjes së thirrjes.” – thotë MSH.
Ministria e Shëndetësisë vë në dispozicion edhe një kopje elektronike të videos praktikës së gjurmimit me sistemin GPS të instaluar brenda autoambulancës për rastin në fjalë.
Sipas saj, qytetari në fjalë është gjendur i vdekur, dhe sipas protokollit, në të tilla raste, i vdekuri nuk lëvizet nga vendi i ngjarjes deri në mbërritjen dhe kryerjen e procedurave nga ana e strukturave të Policisë, me qëllim që të mos dëmtohen provat në vendin e ngjarjes. /b.d