Një aktivitet i veçantë, i bashkësponsorizuar nga Jewish Caucus, Israel Caucus, dhe European Club, do të nxjerrë në pah ditën e sotme në Boston, të Shteteve të Bashkuara një prezantim të diplomatit dhe studjuesit shqiptar, Z. Mal Berisha rreth Shqiptarëve dhe Hollokaustit.
Ish-Ambasadori shqiptar në Londër, i cili i ka studjuar për një kohë të gjatë marrëdhëniet shqiptaro-hebraike, do të mbajë sot prezantimin, e titulluar “Një Besë dhe Një Popull: Hebrenjtë Shqiptarë dhe Hollokausti,” në mjediset e Harvard Kennedy School në orën 7 të mbrëmjes, sipas orës lokale.
Studentë, intelektualë si dhe ekspertë të kësaj fushe priten të marrin pjesë në këtë debat interesant i cili është i hapur për publikun dhe do të moderohet nga Christopher Lydon, një personalitet i njohur i medias amerikane.
Aktiviteti mbahet në kontekstin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Sipas diplomatit Berisha, ky do të jetë një rast për të nxjerrë edhe njëherë në pah vlerën morale më të lartë shqiptare – BESËN, pikërisht ajo e cila shpëtoi të gjithë Hebrenjtë që u strehuan nga Shqipëtarët e thjeshtë gjatë Luftës.
“Nëse ndonjë komb jo hebre ka cfarë të kujtojë me krenari në këtë datë (27 janar), ai është Kombi Shqiptar,” tha Z. Mal Berisha pak para nisjes për në Boston.
Në vitin 2014, Z. Mal Berisha, prezantoi në Institutin YIVO të Studimeve Hebraike në në Manhatan, NewYork, librin “Herman Bernstein, Ambasadori Amerikan në Shqipëri (1930-1933),” i cili zgjoi një interes të madh për studimin e thellë që diplomati shqiptar i kishte bërë marrëdhënieve të ngushta midis Hebrenjve, Shqipëtarëve dhe Qeverisë së Shteteve të Amerikës nëpërmjet një figure shumëdimensionale si Herman Bernstein.