Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes “Zgjidhja” për reformimin e Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, theksoi se udhëheqja është e shkëputur nga baza socialiste.
Gjatë bashkëbisedimit me socialistët e Fierit, Kokëdhima tha se “Zgjidhja” është një lëvizje politike e socialistëve të bazës, brenda Partisë Socialiste.
“Ajo nuk është kundër askujt, është gjithëpërfshirëse dhe në të mirë të qytetarëve të thjeshtë. Zgjidhja nuk e përçan partinë, e bashkon, nuk nxit largimet prej saj, e zmadhon dhe e hap atë, nuk do që në parti të ketë vend vetëm për ata që pëlqen kryetari dhe që shërbejnë pushtetin e tij, por të ketë vend dhe të luftohet për lumturinë e të gjithëve”, tha Kokëdhima.
Ai shtoi se Partia Socialiste ka një anëtarësi të shkëlqyer, njerëz të devotshëm, atdhetarë të shquar e qytetarë shembullorë. “Por edhe pse kjo është e vërtetë, ajo reduktohet e zvogëlohet çdo dy vjet. Në këtë rrugë që ecën, PS rrezikon që të prekë, në zgjedhjet e qershorit, pozitën e vet më të keqe historike. Ajo rrezikon të mos arrijë dot e vetme numrin 60 të deputetëve”, nënvizoi Kokëdhima.
Sipas tij, udhëheqja e PS-së është autokratike, forumet e saj nuk informohen, nuk diskutojnë e vendosin për asgjë kolegjialisht. /b.d