Nga Anri Bala
S’më bëri aspak habi, kur mediat njoftuan shkarkimin tënd nga detyra zoti ish-ministër i (pa)drejtësisë. Por me thënë të drejtën më bënë pak habi denoncimet e tua publike, pa emër e adresë… por për nam e nishan, të cilat i’a “volle” mediave me mllef e inat, shumë prej të cilave nuk i kishim dëgjuar para largimit! Por kjo s’më shqetëson! Kishe kohë që llomotisje para kamerave, ndaj mendova më mirë t’u hedh një sy mediave, që mesazhet e tua mund t’i kenë transmetuar me objektivizëm, brenda subjektivizmit të madh që i karakterizon. Por siç ndodh rëndom, u lodha më kot!
Nuk lashë faqe gazete print e në rrjet pa kontrolluar, por asgjë nuk gjeta në interesin tim, për më tepër të opinionit publik. Kudo gjeje broçkulla nga më të ndryshmet për “shkarkimin” e Manjanit: “Manjanin e shkarkoi Rama… Meta i përulet Ramës… Manjani bëhet “kurban” për vazhdimin e koalicionit… LSI shet ministrin… Basha mbron Manjanin… Fitore e Ramës karshi Metës”, e plot broçkulla të tjera, për ca klikime të “qelbura” më shumë.
Se di pse, po mu duk jo si “kazanë” mediatik, por si govatë “leveresh” që sa herë i shtrydh … aq më shumë llum nxjerrin! Çuditërisht, të gjithë më ngjajtën të gëzuar, a thua se kishin bërë një zbulim të rëndësishëm, teksa jepnin opinione të stilit mediokër, ku pikëpyetjet ngriheshin: Ja futi Rama Metës, apo Meta Ramës?!
Me thënë të drejtën më erdhi turp dhe keq për veten! Mu duk vetja si lolo, që nuk kupton asgjë nga “xhevahiret” që nxjerrin kolegët e mi. E keqja është, se nuk mund të bësh as debat me ta, sepse aq me zell e pasion e kishin marrë shkarkimin tënd, sa që kundërshtimi i opinioneve të tyre, ishte si t’i u merrje trofeun e fituar në një betejë të madhe. A thua se të shkarkuan ata apo objektivizmi i tyre! Ndaj desha dhe unë, largë tyre, por afër logjikës së një qytetari objektiv, të të tregojë mendimin tim, krejt ndryshe nga ç’ke mësuar të shohësh e dëgjosh deri tani.
Ju zoti ish-ministër, nuk ju shkarkoi askush! Ju u vetëshkarkuat… por me “içik” vonesë! Natyrisht, që kjo është e vërteta, doni apo nuk doni ju, duam apo nuk duam ne! Anëtari i kabinetit, nuk mund të bëjë opozitë, sepse qeveria ndaj quhet kabinet: një shtëpi me 19 anëtarë, që drejtohet nga kryetari i shtëpisë dhe një zv. kryetarë, e që ka një program të miratuar me 21 duar të ngritura përpjetë.
Kabineti, nuk është han, ku dikush dëshiron të flejë në stalla me bar, dikush në dërrasa dhe dikush në krevat. Kabineti, do të thotë, të gjithë sëbashku, të zotuar për të realizuar detyrat që keni miratuar dhe veç e veç të bëni të tërën: Finalizimin e objektivave programore që ka kjo qeveri.
Nuk është aspak normale, që një anëtar i kabinetit, të përshëndetet nga opozita, se po mendon, punon dhe kritikon si ajo! Kjo nuk do të thotë, se opozita nuk ka të drejtë të flasë, apo të kritikojë, por ti ke ngritur dorën… ndaj nuk ke si të jesh opozita. Qeveria aktuale, nuk ka koalicion me opozitën, por me një partnerë, që ka një marrëveshje për të qeverisur e bërë reforma… por pa “gurë nën rrota”.
Tejet skandaloze, ishte kërkesa juaj për të aktivizuar forcat ushtarake në luftën e narkotrafikut, luftë e cila po kryhet me të gjitha mundësitë dhe forcat e policisë shqiptare, në bashkëpunim me partnerët e huaj. Shpejt harrove zoti ish-ministër, se para disa vitesh ishe pjesë e koalicionit që kishte ndërtuar një shtet të mbjelljes së hashashit brenda shtetit dhe kurrë nuk u prononcove! Ndërsa ata që qeverisnin bashkë me ju, e kur them ju e kam fjalë dhe për partinë tuaj, i shikonin plantacionet me hashash vetëm me dylbi nga lartë, ose të pasqyruara në reportazhet që transmetoheshin çdo ditë nga mediat prestigjioze botërore.
Kurrë nuk u prononcove zoti ish-ministër, kurrë nuk kërkove të ndërhynte ushtria në “Lazaratolumbinë” shqiptare, megjithëse ishte një strehë e rrezikshme dhe e “miratuar” e krimit dhe e kriminelëve. Ai ishte me të vërtetë rrezik i madh kombëtar, sepse policia juaj, asaj kohe nuk guxonte as t’i përshëndeste trafikantët e shtetit të vogël, jo më të ndërhynte apo të “shfaroste” drogën që i sillte mafias 6 miliard euro përfitime. Fitime dhe interesa të cilat u mbrojtën me konflikt me armë, e me të gjitha format nga individë të njohur të botës së krimit, të kthyer në pak kohë në “lord” të narkotrafikut, e ku si pasojë mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha, vetëm 31 vjeç.
Shumë si ju zoti ish-ministër “fjetën gjumë” në atë kohë, arsyen vetëm ju e dini, por edhe pak ne! Tani që policia ju zgjoi, është paksa vonë… pasi ka ikur dielli që ju zinte sytë! Ndoshta nuk e di, apo s’ta ka thënë kush se, Ministri i Drejtësisë është “krahu i djathtë” i policisë, partneri kryesor! Nuk është persekutor dhe kontrapedal i luftës kundër narkotrafikantëve, që në vitet e “Lulëzimit të madh”, u mbrojtën dhe u përkrahën nga shteti, pasojat e të cilës i vuajmë në kurriz dhe sot. Ndaj që këtu, je i vetëshkarkuar.
Si përfundim, një pyetje i takonte ta bënte promovuesi yt, megjithëse e pakuptimtë vonesa: A e ke kuptuar se je vetëshkarkuar?! Një këshillë prej miku do ta jap: Gjej një punë tjetër, ku dallaverja ecën! Mendo t’i futesh avokatisë… ke mundësi të emërohesh dhe vetëshkarkohesh sa herë të duash. Bëj avokatin që di të bësh më mirë… avokatin e atyre që kishe dëshirë t’i mbroje dhe promovoje. Avokat i krimit dhe i padrejtësisë!/Zathur.net/