Kryetari i Kuvendit dhe i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët një ditë pas shkarkimit të MInistrit të Drejtësisë Ylli Manjani nga ana e kryeministrit Rama. Siç është bërë e njohur tashmë publikisht, shkarkimi i tij erdhi pas përplasjeve me shefin e qeverisë. Referuar deklaratës së Manjanit se Metës prej 6 muajsh i bënte presion Rama për shkarkimin e tij, Meta tha se “nuk dorëzohet nga asnjë lloj presioni”.
“Nuk dorëzohem nga asnjë lloj presioni. As nga zoti Rama, as nga zoti Berisha… nga zoti Basha sigurisht që jo”, tha Meta. Të përqendrohemi te problemet e reformat. Ky është vizioni i LSI-së dhe mesazhi i saj. Kush del këtij mesazhi parimor e konstruktiv, mban përgjegjësi. Shqetësimet e Kokës janë ngritur në rrugë institucionale dhe kjo është e vetmja rrugëzgjidhje pozitive dhe që i shërben mbarëvajtjes së koalicionit. Probleme ka dhe brenda forcës politike, por çështja e koalicionit është një përgjegjësi që buron nga detyrimi ynë për votat e qershorit të vitit 2013 për të bashkëqeverisur me PS-në në bazë të një marrëveshjeje. LSI-ja i ka qëndruar pikë për pikë kësaj marrëveshjeje. Kur përfaqësues të LSI-së nuk i kanë qëndruar asaj marrëveshjeje, LSI-ja ka reflektuar”, u shpreh kreu i LSI-së.
Në lidhje me shkakrimin e Manjanit, ai tha se qëndrimi zyrtar i forcës që ai drejton u dha nga Erisa Xhixho dhe Luan Rama një ditë më parë. referuar akuzave të forta të Manjanit, Meta tha se “çdo ministër ose ish-ministër që ka fakte, duhet të ndjekë rrugën institucionale”.
“Erisa Xhixho dhe Luan Rama folën shumë qartë në lidhje me çështjen e Manjanit. Unë dua të përqendrohem të problemet e rëndësishme që ka vendi. Të hedhim sa më pak shashka sepse njerëzit janë lodhur. Çdo ministër ose ish-ministër që ka fakte, duhet të ndjekë rrugën institucionale”, deklaroi Meta, i cili shtoi se pranimi i shkarkimit të Manjanit nuk ishte një dorëzim ndaj presionit të kryeministrit Edi Rama.
Meta nënvizoi gjithashtu se, “nëse PS ose PD do të kenë 71 mandate, LSI-ja do të dalë në opozitë menjëherë”.
Kreu i LSI-së Ilir Meta, njëherësh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, është shprehur i vendosur për luftën kundër kanabisit në vend. Duke u shprehur se ky është një faktor shqetësues për vendin, Meta ka kërkuar angazhim maksimal të policisë, shërbimeve sekrete dhe të gjithë institucioneve përgjegjëse, që të luftohet në themel ky fenomen.
Meta tha se jo vetëm që “nuk duhet të shikohen më policë duke korrur kanabis”, por të mos lejohet fare mbjellja e tij.
“Policia dhe shërbimet sekrete nuk dua të shohim më policë duke korrur kanabis. Të gjithë institucionet të përfshihen për të parandaluar grupet kriminale për të sjellë farat e kanabisit. Aq më tepër që ky është një sezon që përkon me fushatën elektorale. Shteti duhet të tregojë forcën, dhe të bëjë këtë gjë, dhe të lërë deklaratat në televizione. Nuk duhet të vazhdohet me dënimin e hallexhinjve që punojnë në arat e kanabisit, por ata që e kontrollojnë këtë gjë. Mos të lejohet më kultivimi i kanabisit në vend”, tha Meta.
Një ditë më parë, në konferencën e mbajtur pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani tha se denoncimi i situatës me kanabisin në vend, ishte një nga arsyet e përplasjes së tij me kryeministrin Edi Rama.
Balili
Ilir Meta: “Për Klement Balilin…ju besoj keni ndjekur një shqetësim publik të z. Lu lidhur me mosarrestimin e tij. Edhe gjatë vizitës sime në SHBA, ku u prita nga zv/ndihmës sekretari i Shtetit atje, pata një bisedë të shkëlqyer me të dhe më kërkoi të punoja për konsensusin, më tha se i vetmi shqetësim konkret nga agjencitë amerikane, t’i tërheq vëmendjen institucioneve këtu te ne për mosarrestimin e Balilit. Nuk ka vend tjetër, përveç Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sipas Kushtetutës, ku mblidhen të gjitha institucionet e vendit, ku mund të diskutojnë çështje të mbrehta. Nëse dikush mendon se kjo nuk është e tillë, unë mendoj që nuk e ka drejtë. Ndaj e kam gjykuar këtë mbledhje si rrugën më të mirë, jo për t’u marrë me gjyqe ndaj asnjë institucioni, por për të kuptuar rëndësinë dhe përgjegjshmërinë e institucioneve në funksionimin e tyre, aq më tepër kur tani, pas 20 janarit, kemi një partner të ri, SHBA-të. Presidentin Donald Trump, i cili ka disa prioritete shumë të qarta. Kërkon nga vendet e NATO-s të rritin kapacitetet e tyre dhe të përmbushin detyrimet, të forcojnë kufijtë edhe të vendeve partnere, me luftën kundër krimit të organizuar”, tha Meta.