Fadil Vokrri në një intervistë ekskluzive për gazetën serbe “Blic” ka folur rreth një ndeshje të mundshme në mes të Kosovës dhe Serbisë në futboll.
Në një intervistë për “Blicsport”, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka folur rreth karrierës së tij dhe mundësisë që Kosova dhe Serbia të zhvillojnë një ndeshje futbolli, transmeton Gazeta Blic.
Vokrri mbahet mend në Serbi për periudhën te Partizani i Beogradit, ku ai kaloi tre vite të karrierës së tij, nga 1986 në 1989.
Legjenda e futbollit kosovar ka thënë se vitet e arta të karrierës i kaloi te Prishtina, para se të transferohej te Partizani i Beogradit.
“Fillova si 16-vjear te FC Llapi dhe pastaj kalova te Prishtina, ku kalova formën më të mirë, mund të them vitet e arta të karrierës”, ka thënë Vokrri për “Blicsport”.
“Pastaj në 1986-tën kalova te Partizani, për dy sezone luajta në Turqi me Fenerbahcen dhe në fund të karrierës u transferova në Francë”, ka deklaruar Vokrri, përcjell Gazeta Blic
Vokrri gjithashtu është pyetur rreth pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA, ku sipas gazetës serbe, ai tradhtoi Serbinë.
“Nuk e di se nga e morët këtë përshtypje. Unë nuk kam tradhtuar askënd. Mendoj se çdokush po bën punën e vet. Mua Partizani më ka dhuruar shumë, dhe i kam dhënë shumë Partizanit. Po të na dëgjonin ne, Kosova dhe Serbia tashmë do të kishin luajtur kundër njëra-tjetrës”, ka deklaruar kreu i FFK-së.
“Jemi të gatshëm ta lëmë të kaluarën prapa vetes dhe të luajmë një ndeshje”, ka përfunduar Vokrri, citohet ”Gazeta Blic”. (b.an)