Kryeqendra e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë distancë rrugore vetëm tri orë. Kjo afërsi gjeografike dhe lidhja kulturore e historike mes dy vendeve, sipas përfaqësuesve të biznesit nuk janë shfrytëzuar mjaft për të zhvilluar tregtinë dhe për t’i dhënë vlerë të shtuar ekonomive përkatëse. Ndërkohë që marrëdhëniet në fushën politike apo diplomatike natyrshëm janë drejt rritjes, forcimit e konsolidimit.
Përfaqësues të një pjese të biznesit në Shqipëri bëjnë fjalë për luftë tregtare të Kosovës. Sipas tyre, barrierat tregtare, janë veçse për të mbushur xhepat e klientëve të qeverive apo dhe të ndonjë politikani. Të tjerë përfaqësues e kundërshtojnë faktin e luftës tregtare, nën argumentin se lufta në tregti mund të përdoret për vendet të cilat kanë largësi shumë të madhe të perceptimeve, por edhe të kulturave, por me afërsi gjeografike, shkruan “Koha Ditore”.
Biznesi apelon qeveritë e dy shteteve që të reagojnë dhe të eliminojnë barrierat që janë vendosur në tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa kanë paralajmëruar se brenda 10-ditëshit të parë të shkurtit do të mbahet në Prizren, Forumi i Sipërmarrjes për të dyja vendet, ku kësaj here ky forum nuk do të jetë nën ndikimin qeveritar.., citohet Koha. (b.an)