Lëvizja Socialiste për Integrim jep sinjale për zbutjen e përplasjeve me PS, madje duke shkuar edhe më tej kur paralajmëron vijimin e koalicionit.
Nga studioja e “Top Story” përballë një paneli analistësh, Luan Rama deklaroi se LSI nuk mund të prishë një gjë që ka ndërtuar vetë.
“Opozita nuk egziston, ne na ka rënë të bëjmë edhe Qeverinë edhe Opozitën. Koalicioni? Ne nuk prishim marrëveshje për të cilat jemi investuar me shumë seriozitet. Për çdo arsye ne nuk prishim një gjë qe e kemi krijuar vetë. Punojmë për ta rritur e forcuar koalicionin”, tha Luan Rama.
Kryetari i grupit të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama mohoi të ketë një sulm të kësaj force ndaj Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Ai deklaroi se kemi të bëjmë me denoncimin e problemeve në nivel vendor, në strukturat e policisë nga zyrtarët e LSI-së, por nuk kemi të bëjmë me sulm ndaj Tahirit.
“Nuk ka asnjë sulm ndaj Saimir Tahirit sepse kam parë disa reagime në media, por edhe të zëvendëskryeminsitrin. Nuk ka asnjë sulm ndaj Saimir tahriit dhe ndaj Policisë së Shtetit. Ka vetëm raste siç është rasti i Lefter Kokës që ka denoncuar një sjellje abuzive të drejtuesve të policisë në nivel vendor. Më pas ka pasur reagime emocionale”, tha Luan Rama.
Ai komentoi edhe shkarkimin e Manjanit teksa tha se më herët atij i ishte kërkuar dorëheqja nga Rama.
“Në marrëdhënien mes kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë ka pasur një mori problemesh. I është kërkuar prej kryeministrit të japë dorëheqjen dhe ai nuk ka pranuar. Nuk e di nëse ia ka kërkuar zoti Meta. Në rasitn e sotëm kemi me një vendim të kryeministrit për ta shkarkuar, është në tagrin kushtetues të kryeministrit të emërojë, të shkarkojë një ministër”, tha Rama.
Referuar reformave të ndërmarra nga koalicioni qeveritar, Luan Rama deklaroi se nga ana e LSI ka pasur edhe reforma që nuk janë mbështetur, por janë votuar në parlament.
“Marrëdhëniet mes partive, janë funksionale dhe kanë bërë të mundur edhe ato reforma. Edhe pse për reforma të caktuara si ajo në shëndetësi dhe në arsim ne kemi qenë të bindur se do ishin të pasuksesshme edhe pse i votuam për qëllime më të mëdha”, tha ai.
Balili
Kryetari i Kuvendit dhe i LSI-së, Ilir Meta kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili” pasi, siç tha Luan Rama, ka një mungesë koordinimi mes institucioneve të sigurisë për ndalimin e tij.
Në vijim të fjalës në Top Story, Rama veç kësaj përmendi edhe kërkesën amerikane drejtuar Metës.
“Ka një mungesë funksionimi në koordinimin e institucioneve të sigurisë që bënë që sot personi në fjalë të mos jetë para institucioneve të drejtësisë. Metës i është kërkuar zyrtarisht në SHBA që të ndikojë që institucionet e sigurisë të përshpejtojnë ritmin për kapjen e këtij individi dhe për të dëshmuar që shteti është më i fortë. Këtë Meta ja kërkon kryetarit të shtetit përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të analizuar këtë gjë”, u shpreh Rama.
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së shkoi edhe më tej, kur foli për elementë brenda strukturave shtetërore që mbrojnë Balilin.
“Brenda strukturave të shtetit në përgjithësi dhe brenda strukturave të Policisë së Shtetit në veçanti, po ashtu të prokurorisë, është ndihmuar Balili”, tha ai.
Luan Rama hodhi poshtë disa akuza se Balilin e mbron LSI-ja.
“Është shprehja më tipike e gjykimit mbi bazat e biografisë së regjimit. Ai është individ dhe përgjigjet si i tillë. Ka qenë një alibi që thotë se nuk arrestohet Balili se e mbron LSI. LSI nuk mbron askënd. Për shkak të LSI-së nuk është i imunizuar askush në këtë vend nëse shkel ligjin”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të LSI-së.