Babai i Ergi Dinit, Dashamir Dini ka folur për herë të parë në media pas humbjes së të birit, për dhimbjen e pafund që ndjen dhe krenarinë e tij për të birin.
“Me dhimbjen nuk pajtohesh asnjëherë, çështja është të gjesh rrugën e riformatimit. Ergi ishte pjesë e krenarisë sime!”
Ai foli për hapat e djalit të vetëm drejt muzikës, marrëdhënien me familjen dhe miqtë si dhe për dashurinë që Ergi kishte për fansat e tij.
“Ergi është krenaria ime! Kam punu shumë me të. Raporti nuk ka qenë vetëm babë e bir, ai ishte një shok i ngushtë, një djalë i mirë, ishte shok. Dilte me motën xhiro, si ai nuk të përkëdhelte kush. Ishte i fuqishëm si djalë, jo vetëm fizikisht. Paratë që kishte i ndante me shokët që kishe, ishte social si natyrë me një shoqëri të mrekullueshme. Nuk ishte tekanjoz. Ai kishte në plan të shkonte në Francë, por vendosi ta kalonte Vitin e Ri me familjen. E adhuroj! Çdo familje prodhon fëmijë të mirë por ai u bë siç donim ne.”– u shpreh i ati i Ergit mes dhimbjesh.
Madje z.Dashamir tregoi dhe për dilemat e të birit gjatë periudhës së adoleshencës, kur nuk dinte ç’rrugë të zgjidhte.
“Kishte dy rrugë, të bëhej burrë i mirë ose burrë i keq. Ai zgjodhi të dytën, të bëhej një burrë i mirë”.
I pyetur nga gazetarja për talentin e trashëguar, z. Dashamir u shpreh se dhe familja e tij si nga e ëma dhe nga babai ishin të talentuar, kishin një ndërthurje mes sportit dhe letërsisë.
“Faktikisht nga pjesa e familjes sime, babai aktor, nëna spikere, unë kryeva shkollën e mesme për muzikë. Në krahun e gruas ishin familje sportistësh. Jemi bashkuar letërsia me sportin. Talenti i tij është zbuluar nga edukatorja në moshën 6 vjeçare .
Ndërsa teksa foli për virtytet e tij, ai u shpreh me shumë siguri dhe bindje të plotë, “ Ergi ishte shumë i afërt, ambicioz, i dashur, i talentuar. Shkruante shumë bukur poezi. Kishte një botë të mbushur artistike”.
Dashamir Dini u shpreh se tashmë i përket një komuniteti të madh që kanë humbur njerëzit e tyre, por që nuk i njeh, si dhe përcolli një mesazh për të gjithë, “Me dhimbjen nuk pajtohesh asnjëherë, çështja është të gjesh rrugën e riformatimit të familjes”.
Ministri Tahiri gjatë emisionit dha një mesazh për të gjithë drejtuesit e automjeteve si dhe u bashkua me dhimbjen e familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë aksidenteve automobilistike.
“Historitë personale vlejnë më shumë se çdo fjali e imja. Historitë personale vlejnë më shumë se çdo nismë që mund të marrim. Do bëjmë gjithçka që kemi në Ministrinë e Brendshme, për të ndihmuar z. Dashamir.
Mund të bëhemi vendi i parë në rajon që institucionet të bashkohen me familjet që kanë sakrifica të mëdha për një qëllim sublim, të shpëtojmë jetën e atyre që vijnë pas”./Newsbomb/a.m.