Policia britanike ka vënë në pranga një çift shqiptar pasi drejtonin një rrjet ndërkombëtar të kanabisit. Bëhet me dije se pranga përfunduan Besnik Hoxha, 32 vjeç, si dhe gruaja e tij, Ifigjenia Cipi, 31 vjeçe.
Nëpërmjet një llogarie me emër të rremë, ata kishin xhiruar rreth 5.5 milionë paund, ndërsa financonin udhëtime të shumta e bashkëshortja blinte veshje të shtrenjta. Transaksionet bankare kryheshin kryesisht nga 31 vjeçarja.
Hoxha fillimisht ishte i dyshuar si i përfshirë në ngritjen e një ferme kanabisi në zonën e Manchester. Besnik Hoxha ka pranuar përfshirjen në trafikun e kanabisit nga mesi i muajit maj të vitit 2014 deri në korrik të vitit të kaluar, ndërsa gruaja e tij ka pranuar se posedonte dokumente të rreme greke të identitetit.
Çifti, i cili ka jetuar në Cedric Road, Crumpsall dhe kanë dy fëmijë të vegjël, tani janë burgosur në Gjykatën e Manchesterit. Pas burgimit, ata përballen me dëbimin pasi kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky është rasti i fundit pas një vargu të gjerë hetimesh, të cilat janë fokusuar në pastrimin e parave në zonën e Cheetham Hill.
Gruaja ka deklaruar se kishte marrë kartë identiteti greke për shkak të paragjykimeve ndaj shqiptarëve kur marrin me qira banesa.
Për burrin është kërkuar një burgim prej dy vitesh, ndërsa për gruan burgim prej 1 viti, vendim i cili e ka habitur atë.
Sasia e drogës së sekuestruar ishte rreth 140 mijë paund, ndërsa shitja e saj me pakicë kapte fitime rreth 5.5 mln paund. Në këtë trafik ishin përfshirë rreth 20 persona.