Blerim Çela, ish-kreu i parë i KLSH-së, flet për situatën e vështirë të PD-së gjatë rebelimit të ‘97-ës, si u provokua nga firmat piramidale, paralajmërimi për katastrofën që po vinte dhe si rënia e tyre u shfrytëzua nga e majta për të marrë pushtetin me armë.
Çela, përmes hedh dritë mbi debatin e ashpër në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar të PD-së të 12 shkurtit ‘97, ku presidentit Sali Berisha iu kërkua largimi nga PD-ja pasi fajësohej se kishte lejuar krijimin e skemave piramidale.
Z. Çela, si ish-kryetar i KLSH-së dhe pjesë e rëndësishme e së djathtës, në çfarë situate ishte PD-ja dhe qeveria e saj ndërkohë që ishin aktivizuar firmat piramidale?
Pas fitores së PD-së më 22 mars 1992, qeveria demokratike e drejtuar nga zoti Aleksandër Meksi ndërmori një varg reformash të thella në fushën sociale, politike dhe ekonomike. Filloi privatizimi i sektorit shtetëror të ekonomisë e decentralizimi i saj, liberalizimi i çmimeve e kurseve të këmbimit, reforma në sistemin juridik e në legjislacionin e të gjitha fushave sociale. U ndërmorën hapa të rëndësishëm në stabilitetin e treguesve makroekonomikë me uljen e normës së inflacionit, papunësisë nëpërmjet nxitjes së bizneseve të vogla e të mesme, ngritjen e sistemit bankar të nivelit të dytë, heqjen e subvencioneve inproduktive, uljen e shpenzimeve administrative nëpërmjet shkurtimit të aparatit administrativ, që çuan në reduktimin e deficitit buxhetor dhe rritjen e prodhimit të brendshëm bruto. Papunësia u ul, nga 450.000 në 1992, në 150.000 në 1996, u forcua leku, nga 190 lekë një dollar në 1991- ‘92, në 90-100 lekë për dollar, tregues këta që ndikuan në rritjen e fuqisë blerëse dhe të nivelit të jetesës së popullit, i cili i harroi radhët për qumësht, mish, fasule, patate, gjalpë, vezë etj. që merreshin me tollona. Kontrolli i shtetit kishte çuar për ndjekje penale mbi 1.500 zyrtarë të të gjitha rangjeve e ngjyrave politike, duke goditur korrupsionin që në embrion. Filluan investimet private në bujqësi, tregti, turizëm, industrinë e lehtë e atë ushqimore. Gjithë ky bum i furishëm ekonomik kërkonte financime të mëdha në para, të cilat mungonin sepse nuk u mundësua krijimi i bankave private, ndërsa ato shtetërore nuk mund t’i përgjigjeshin një kërkese aq të madhe investimesh për të grumbulluar paranë e lirë, sepse normat e interesit ishin shumë të ulëta. Pra depozituesit nuk kishin interes t’i fusnin paratë në bankë, sepse fitimi ishte shumë i vogël.
Çfarë e provokoi atë?
Moskrijimi i bankave private, të cilat mund ta zgjidhnin këtë ngërç me iniciativën e tyre duke rritur normat e interesave në dobi të depozituesve, të cilat do t’i investonin në industri, turizëm, bujqësi, teknologji etj., me fitim më të madh fitimi, bëri që paratë e emigrantëve të fituara me djersë jashtë shtetit, në vend që të investoheshin në krijim bankash private apo ngritje biznesesh, ngelën të lira, përveç atyre që u investuan në ndërtim shtëpish. Ky ishte momenti që, mashtrues ordinerë të drejtuar nga mjeshtër të huaj që e njihnin mirë mashtrimin, ideuan hapjen e firmave piramidale, duke futur në lojë njerëz pa përvojë në fushën e financave, si Sudja, Xhaferri, Driza, Vefa, Silva etj., që grumbullonin paratë jo vetëm të emigrantëve, por joshën me interesa të larta në një kohë shumë të shpejtë edhe njerëzit e thjeshtë, që filluan të shisnin bagëtitë, mallin, e deri shtëpitë, për t’u pasuruar shpejt, se kapitalizmi na paska qenë i “ëmbël”. Investimet fillestare që kryen firmat “Gjallica”, “Vefa”, “Silva” e ndonjë tjetër, i bindën njerëzit e thjeshtë se paratë e tyre ishin të sigurta meqë ato po investoheshin me fitime të mëdha. Por çudia është se piramidat “Xhaferri”, “Sudja”, “Populli” e ndonjë tjetër nuk investonin asgjë dhe populli u besonte duke futur paratë symbyllur, të joshur edhe nga gazetat, me norma të larta interesi pa asnjë logjikë financiare.
Për cilat arsye nuk u bë frenimi që në nisje i firmave piramidale? A kishit ndonjë paralajmërim nga institucionet ndërkombëtare financiare për rrezikun e tyre?
Këto firma nuk u luftuan që në fillim kur u hapën në 1991-shin sepse kodi civil shqiptar sanksiononte huadhënien në bazë të një kontrate të përbashkët, dhe FMN-ja apo Banka Botërore nuk dhanë asnjë shenjë kundërshtimi. Megjithatë, përgjegjësia ishte në radhë të parë e sistemit bankar e financiar, që nuk po operonin me shpejtësi zhvillime të shpejta ekonomike, por edhe e qeverisë demokratike që duhej të kishte nxitur hapjen e bankave private. Por qeveria me të drejtë kundërshtoi propozimin e Bankës Kombëtare Shqiptare që këto firma të ktheheshin në banka, sepse katastrofa do të ishte shumë më e madhe. Ndërsa qeveria, Ministria e Financave dhe institucione të tjera po lëviznin në këtë drejtim që në fund të vitit 1995 dhe fillim të 1996-ës, nga FMN-ja sinjali i parë erdhi në 26 nëntor 1996, e cila i kërkoi qeverisë të informohej urgjentisht publiku për rreziqet që paraqiste futja e parave në këto firma dhe urgjentisht të fillohej hetimi ndaj tyre duke miratuar një ligj për pastrimin e parave. Në fakt parlamenti, me iniciativë të qeverisë, miratoi ligjin 8164, datë 21 nëntor 1996, “Për sigurimin e transparencës në veprimtarinë e huamarrjes me pjesëmarrje masive të individëve në RSH”. Qeveria ngriu menjëherë paratë në llogaritë e firmave, dhe Banka e Shqipërisë kufizoi tërheqjen ditore të parave kesh deri në 300 mijë dollarë. Me VKM 44, datë 16.1.1997, iu kthyen njerëzve nga fondacioni “Xhaferri” e “Populli” respektivisht 52 dhe 60% të shumave të depozituara si dhe u ngrinë 115 milionë dollarë të firmave të tjera.
Cilat ishin reagimet e opozitës në atë periudhë dhe a ishte e përfshirë PD-ja në firmat piramidale?
Reagimet e së majtës kundër masave që mori qeveria për ngrirjen e parave të firmave piramidale nuk ishte e drejtë, sepse me ato masa u shpëtuan më shumë se gjysma e parave të depozituesve. Qeveria demokratike pranoi përgjegjësinë e saj për mosmbylljen e shpejtë të këtyre firmave piramidale, por kurrë nuk mund të pranonte se ato para u vodhën prej saj. Për këtë u ngrit një komision parlamentar pas fitores së të majtës në korrik 1997, i cili vërtetoi se qeveria demokratike nuk ka marrë asnjë lek nga paratë e depozituesve shqiptare.
Kush i nxiti protestat e para? Çfarë kujtoni nga ato ditë, pasi ju ishit deputet i një prej zonave më problematike, në Tepelenë?
E majta, për të fituar kapital politik nxiti protestat e popullit me parullat “Duam paret tona” etj., por edhe bllokimin e rrugëve. Në 25 janar 1997, shkova me të njëjtin helikopter ku ishte dhe z. Tritan Shehu, i cili zbriti në stadiumin e Lushnjës, ndërsa unë vazhdova rrugën për në Tepelenë sepse ishte bllokuar ura e Memaliajt, duke paralizuar gjithë veprimtarinë ekonomike e jetësore të të gjithë zonës, përfshi edhe Gjirokastër e Mallakastër. Menjëherë shkova në bashki. Protestuesit ishin të majtë e të djathtë, kërkonin paratë t’u ktheheshin 100%, gjë që ishte e pamundur. Protestuesit kërkuan të shkoja tek ata në urën e bllokuar, por unë nuk pranova. U thashë të sillnin një përfaqësi me të cilën të bisedonim shtruar, por jo në mes të rrugës me njerëz të inatosur, sepse në atë kohë e majta kishte thënë se paratë i kish vjedhur qeveria demokratike. Njerëzit me të drejtë kërkonin paratë e humbura. Duke qenë se unë nuk pranova të shkoja te protestuesit, ata zgjodhën një përfaqësi e cila erdhi në bashki, ku biseduam shtruar.
Për çfarë negociuat me ta dhe çfarë u premtuat?
U thashë që po punohej nga Banka Kombëtare Tregtare dhe ajo e Kursimeve për të nxjerrë detyrimet për çdo kreditor në bazë të parave që qeveria kishte ngrirë në këto banka, dhe ndarja e tyre do të bëhej për 10- 15 ditë, por asnjë lek më shumë sesa u takonin nga paratë e ngrira nuk do të merrnin. E vërteta ishte se, me popullin e Tepelenës jam marrë vesh shumë mirë dhe i kam realizuar premtimet që u kam dhënë jo vetëm në investime, por edhe në zgjidhjen e halleve familjare e personale, duke mos parë nëse ishin të majtë apo të djathtë. Meqenëse me tepelenasit kam pasur marrëdhënie të mira dhe jam treguar serioz në premtimet që kam dhënë, ata më besuan që paratë e ngrira do të ktheheshin te depozituesit sipas listave dhe shumave që po nxirrnin bankat ku ato ishin ngrirë me vendim qeverie. Ura u zhbllokua dhe në darkë u dha si lajm i mirë në televizion.
Si u bë kthimi në Tiranë?
Për kthimin nuk e kisha aty helikopterin, sepse ai u kthye përsëri për të marrë z. Tritan Shehu. Ndërkohë po ngrysej dhe unë duhej të kthehesha në Tiranë dhe në parlament sepse kishte seancë parlamentare. Miqtë e mi demokratë më gjetën një makinë të të ndjerit Agron Koçi, i cili më shoqëroi deri në Tiranë duke më kaluar nga Qafa e Koçiut për në Berat e prej andej në Tiranë, sepse rruga deri në Mallakastër kishte disa vende që bllokohej nga persona të ndryshëm. Edhe nga Berati deri në Lushnjë patëm nja dy ndërprerje, por i ndjeri Agron u dha nga një 500 lekësh dhe ata nuk na ngacmuan. U ktheva në Tiranë, dhe prej aty drejt e në parlament, ku i thashë grupit tonë parlamentar se situata është shumë e rëndë dhe qeveria duhet të marrë masa të zhbllokojë rrugët se po pengohen njerëzit për hallet dhe punët e tyre nga banda të vogla që shfrytëzuan rastin për të fituar para prej udhëtarëve.
Ju, u rikthyet sërish në Tepelenë?
Në 1 shkurt shkova përsëri në Tepelenë, ku organizuam së bashku me PD-në një aktiv të zgjeruar ku morën pjesë edhe qytetarë pa parti të Tepelenës. Kisha qenë edhe në 1995, edhe gjatë 1996 në Tepelenë, dhe u kisha thënë në mbledhje te kinemaja e qytetit se paratë nuk kanë siguri në firma të panjohura, pasi, ato duhen futur në bankë. Një pjesë e mirë e njerëzve më dëgjuan dhe nuk futën para; ata që vepruan sipas mendjes së tyre i futën, dhe kur u dogjën më thanë se bënë gabim që nuk më dëgjuan.
Çfarë u kërkua në atë aktiv?
Në këtë aktiv u kërkua që qeveria t’u kthente sa më shpejt paratë e ngrira në banka, dhe shumë prej tyre bën autokritikë duke thënë se e kishin vetë fajin që nuk besuan, qoftë thirrjen time, qoftë këshillat e njerëzve të urtë, pasi ata vazhduan të depozitojnë në këto firma edhe pasi firmat filluan të diskreditoheshin, “por, – thanë ata, – ne besuam shumë gazetat, veçanërisht të majtat, që jepnin përditë normat e larta të interesit. Ne menduam se mos fitonim ndonjë lek më shumë për të rregulluar shtëpitë e katandinë tonë”. Ndër diskutantët spikati zonja Mimoza Kapllani, e cila tha: “Kam humbur 70.000 dollarë, por nuk më vjen keq, se e kisha fajin vetë. Mua nuk më tha PD-ja që, shko e futi paratë në firmat rentiere, por i çova me duart e mia. Tani mirë të më bëhet, por PD-ja më dha mundësinë që t’i fitoja ato para me djersën time e të familjes sime, gjë që nuk mund të ndodhte nën regjimin e kaluar. Tani do të punoj edhe më fort që t’i fitoj përsëri e t’i përdor me mend në kokë.” Në aktiv u kërkua që mashtruesit dhe prishësit e rendit të dënoheshin sipas ligjit, mashtruesit e firmave rentiere të burgoseshin dhe të korruptuarit e administratës të largoheshin nga detyra e të ndiqeshin sipas ligjeve në fuqi. Gjithashtu kërkuan që PDja të forcohej, duke besuar se qetësia dhe siguria do të ktheheshin në vend.
Cilat ishin lëvizjet dhe vendimet e PD-së ndaj firmave piramidale?
Në datën 12 shkurt 1997 u zhvillua mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së për fajdet. Gjatë asaj mbledhjeje të tensionuar, presidenti Berisha u shpreh: “Flakët e Kuqe duan të djegin ëndrrat dhe shpresat e shqiptarëve, dhe në shumë vende anëtarët e PD-së nuk vepruan. Ne nuk heqim dorë nga korrigjimi i gabimeve. Skemat piramidale kanë filluar që në vitin 1991 pa pasur licencë. Kodi civil i lë hapësirë huamarrjes. Zoti Vrioni (ministër i Financave) duhej të lajmëronte për rrezikshmërinë e këtyre firmave. Në janar 1996, guvernatori solli njoftim për rrezikun e tyre tek unë dhe te kryeministri. Në prill 1996, guvernatori solli projektligjin për pastrimin e parave, por në atë kohë filloi fushata e zgjedhjeve të majit dhe e dini vetë se si shkuan punët. Konfliktin piramidal e zgjidh gjykata e jo qeveria. Ia thashë guvernatorit. Përgjegjësia është në radhë të parë morale. A mund t’i spostonim ato gjatë vitit elektoral? Për të lehtësuar dhimbjen e humbjeve në këto firma do të japim kredi. Ne nuk jemi demonë të pushtetit. Po nuk na mbështeti populli, ne futemi në zgjedhje të reja. PS-ja dominohet sot plotësisht nga platforma e terrorit. Do merren masa për Vlorën me kredi për shtëpi”.
Për shkak të humbjes së parave në firmat rentiere, populli kërkonte dorëheqjen e qeverisë. Cili ishte qëndrimi i ishkryeministrit Aleksandër Meksi?
Z. Meksi tha në atë mbledhje se: “Nuk kërkohet qeveria, por qeverisja. Pra dorëheqja e qeverisë nuk është problem, ndërsa qeverisja na merr të gjithëve me vete. Të forcohet PD-ja e të pranojmë gabimet tona. Nuk mund të futeshim në zgjedhje me elektroshokun e bllokimit të firmave piramidale, sepse do të na dilte populli kundër”. Por presidenti Berisha deklaroi: “Më kanë bërë propozime aleancash të hapëta e të fshehta, madje edhe PS-ja, për të qenë unë në krye të shtetit, por jo të PD-së. Nuk heq dorë nga PD-ja dhe mua më heq e më vë vetëm kongresi i PD-së, i nënshtrohem vetëm votës së tyre”. Më pas vijuan diskutimet e anëtarëve. Nga ana tjetër, ministri Alfred Serreqi u shpreh: “Me gabu është njerëzore, me ngulmu është djallëzore. Nuk kemi përgjegjësi të gjithë njëlloj. PD-ja e ka gabimin në stafin drejtues, i cili kur vjen një mendim alternativ brenda PD-së, e quan armiqësor. Kush do të bëjë koalicion me PSnë, nuk ka vend në PD! Janë harruar të përndjekurit politikë”. Kurse z. Tomorr Dosti deklaroi: “Nuk pranoj të bëj koalicion me PS-në. Mjerë ne dhe ju, zoti President; po lamë të na drejtojnë komunistët, jemi para greminës. Ju, zoti President, duhej të bënit një raport me shkrim në detaje përse ndodhi kjo gjë e shëmtuar. Duhet të ulni kokën para këtij populli, personalisht ju zoti President”. Kurse z. Leka Toto u shpreh se: “Gjendja është kritike! Unë jam pensionist dhe gjykoj si popull. Ne shqiptarët jemi egocentrikë si natyrë, por nuk jemi qendra e botës. Duhet të jetë më shtrenjtë Roma se individi (e ka fjalën për presidentin që të japë dorëheqjen. Ai është individi, dhe Roma është Shqipëria. Ndryshimet duhen bërë me vend, që të jenë efikase. PS-ja na gjeti gafil. Rendi duhej të ishte më i fortë. Kjo tregoi dobësi të shtetit tonë. Jemi qendër e djathtë, por patëm prirje të majta. Tani shumë njerëz që janë futur me ne kanë filluar të na kthejnë shpinën. Janë të paktë ata të qendrës së djathtë që do të na mbështesin me shpirt. Nëse koniunktura e kërkon një lëvizje të tillë që të ndërrohet qeveria, le të ndërrohet, por të mendohemi mirë. Nuk jam për lufte klasash, por pikat kyçe ku drejtohet duan njerëz të besuar e me ndershmëri. Një i ditur, i mençur, por i pabesueshëm, është më i keq se një njeri më pak i mençur, por i besueshëm”. /Gazeta Shqiptare