Nëntë orë diskutime nuk kanë sjellë përgjigjen se kë do ta mbështesë Bashkimi Demokratik për Integrim për krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë.
Kryesia e Partisë së Ali Ahmetit, e cila është faktori më i rëndësishëm në krijimin e ekzekutivit të ri, ka kërkuar modelin më të përshtatshëm pasi kërkesat e tyre kanë ngelur pa ndonjë përgjigje politike.
Diskutimet e gjata u mbyllën me një përgjigje të vetme, se cili që plotëson kushtet e shqiptarëve ka përkrahjen e shqiptarëve.
“Të pesë opsionet janë në tavolinë. Ne bisedojmë me të gjitha partitë politike. Presim përgjigjen e tyre. Të gjitha argumentet më shumë fokusohen tek platforma e BDI-së sesa atë se cilin opsion ne do të zgjedhim. Gjuha shqipe dhe kërkesat e tjera të BDI-së mbeten si kushte. Ne presim qëndrimin e partive politike maqedonase”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, raporton TCH.
Nga selia e partisë u larguan anëtarët e kryesisë, por më parë nga zyrat kanë dalë tre nënkryetar të BDI-së. Negociatat të shtunën kanë nisur edhe në partinë e Zoran Zaev, njeriut të dytë që mund të marrë mandatin pas Nikolla Gruevskit, i cili shihet më i papërshtatshëm për shkak se kërkesa kryesore e shqiptarëve është gjuha shqipe gjuhë zyrtarë në tërë Maqedoninë.
Ahmeti nuk ka folur për mediat, por vetëm shkurt gjatë largimit ka theksuar negociatat janë të hapura. (b.an)