Dy italianë dhe një shqiptar u arrestuan nga policia pas një ndjekje në det të hapur gjatë pasdites së sotme. Ata udhëtonin me një motoskaf të ngarkuar me lëndë narkotike, dhe kur janë pikasur nga policia kufitare, ata e kanë hedhur drogën në det.
Policia e Shtetit njofton zyrtarisht se operacioni për kapjen e tyre u bë në bashkëpunim të Policisë Kufitare me Guardia di Finanzën italiane. Motoskafi me tre personat në bord u kap rreth orës 16:30, rreth 23 milje larg Karaburinit.
Për t’i shpëtuar ndjekjes së Policisë, trafikantët e hodhën lëndën narkotike në det. Policia thotë se aktualisht po punohet për grumbullimin e lëndës narkotike dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në dy vendet.
Sipas policisë, lënda narkotike do të transportohej me skaf në drejtim të Italisë. /b.d