Ditën e djeshme në kompleksin stërvitor “Skënder Halili” një grupim tifozësh të Tiranës ndërprenë stërvitjen e skuadrës të revoltuar nga vendimi që klubi do të lejojë Partizanin t’i zhvillojë ndeshjet si pritës në “Selman Stërmasi”.
Revolta e tifozëve ishte e madhe teksa degjeneroi deri në konflikt me futbollistët, ku u godit mesfushori Gilman Lika. Nga pamjet filmike të transmetuara në media, ra në sy lideri i protestës, kapo i tifogrupit “West Boys 1986”, i quajtur Geri, i cili vendosi në rresht futbollistët bardheblu duke u kërkuar mendim në lidhje me vendimin e klubit.
Mënyra e tij e të folurës me një ton zëri kërcënues të jepte përshtypjen e tifozi të apasionuar mbas Tiranës deri në ekstrem. Por e vërteta është se ky “huligan” që e kujton veten pronar “de facto” të klubit, më parë ka qënë tifoz i dy ekipeve të tjera të kryeqytetit, Partizanit ndaj të cilit dje fliste me aq shumë urrejtje, dhe Dinamos./panorama/a.m.