Një nga kujdestaret e arrestuara pas video skandalit të dhunimit të fëmijëve jetimë në Shkodër ka deklaruar në polici se ka qenë një moment dobësie, kur ajo ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës. Edvana Sulaj ka thënë se nuk ka bërë asnjë veprim të ngjashëm në gati 20 vitet e punës në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër.
Sikurse është mësuar nga të dhënat e videos, më 20 qershor fëmijët kanë dalë në ambient lojërash jashtë institucionit.
Por interesant është fakti që 40-vjeçarja e arrestuar për keqtrajtim të fëmijëve të mitur të jetimores ku punonte, ishte rritur vetë jetime. Në moshën 10 vjeçe, ajo ishte rritur pa nënë, pasi ajo kishte ndërruar jetë. Kohët e fundit gjendja e saj psikologjike ishte në luhatje, kjo edhe si pasojë e një sëmundjeje prej së cilës vuante dhe që e kishte mësuar prej pak muajsh.
Nuk dihet nëse drejtoresha e institucionit ku punonte Sulaj ishte në dijeni të situatës që po kalonte vartësja e saj. U desh zbulimi nga kamerat e sigurisë së një biznesi për të mësuar se Edvana Sulaj vazhdonte të shkonte në punë dhe të ishte pranë fëmijëve, pavarësisht se ndoshta në këto kohë kishte nevojë vetë për ndihmë.