Dy zyrtarë të administratës kanë bërë të ditur për CNN se Departamentit Amerikan të Shtetit i ka ardhur radha e “fshesës Trump”.
JavaNews raporton se stafi i presidentit të ri amerikan ka njoftuar drejtuesit kryesorë të DASH se shërbimi i tyre nuk është më i nevojshëm, duke nisur kështu një spastrim me themel të administratës Obama.
Patrik Kennedy, i cili ka shërbyer për 9 vite si nënsekretar i Menaxhimit, Joyce Anne Barr që ka qenë konsulent dhe asistent sekretar dhe ambasadori Gentry Smith që mban postin e drejtorit të Misioneve të Huaja kanë marrë një letër nga Shtëpia e Bardhë ku i shkruhet se puna e tyre nuk është më e nevojshme.
Zyrtarët në fjalë sipas CNN kanë paraqitur letrat e dorëheqjes ditën e sotme edhe si traditë për fillimin e administratës së re. Sipas JavaNews.al, Trump i ka dërguar mbrapsht një kthim-përgjigje ku pranon dorëheqjen e tyre dhe i falënderon për shërbimin ndër vite.
Një tjetër emër që ka lënë detyrën është ai i Victoria Nuland, e njohur gjerësisht nga publiku dhe politika shqiptare, shkruan JavaNews. Nuland që ka shërbyer si ndihmës sekretare për Europën. Ajo është personi që solli “fjalën e fundit” të SHBA-ve në Tiranë në lidhje me reformën në Drejtësi.
“Reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së”- u shpreh Nuland gjatë vitiës së saj në Tiranë në korrik të vitit 2016.
“Në Departament nuk do të ketë ngërç. Largimi i këtyre emrave sigurisht që është një humbje për administratën por DASH ka punonjës shëmbullorë dhe të përgjegjshëm që mund ta çojnë punën para” – tha një burim për CNN.
(javanews.al / b.d)