Asnjë marrëveshje në samitin europian të sotëm për krizën greke. Por u paraqit një kërkesë greke, për një ndihmë urgjente financiare deri në fund të korrikut. Kjo është strategjia e kryeministrit Cipras, ndërkohë që sot duhej të ishte dita vendimtare për rinisjen e bisedimeve, pas referendumit të ditës së dielë.
Në fakt ka qenë një ditë e komplikuar, ku vetëm në mbrëmje tensionet u duk se ranë. Komisioni Europian u mundua të zbusë tonet e forta të Eurogrupit, i cili nuk mori sot asnjë plan konkret nga pala greke për krizën, ashtu siç pritej. Liderët europianë do të mblidhen sërish të dielën, për të shqyrtuar situatën. Ndërkohë kancelarja Merkel u shpreh shumë skeptike, në lidhje me mundësinë e një kompromisi. Me një sjellje të akullt ndaj Cipras, ajo deklaroi se “kanë mbetur pak ditë në dispozicion, për të gjetur një zgjidhje dhe në këtë moment nuk ka asnjë bazë për të negociuar”.