Opozita do ta marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, por kërkon barazi anetarësh.
Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, i është përgjigjur interesit të mediave pasditen e sotme në lidhje me pjesëmarrjen e PD-së në komisionin e ligjeve dhe reformën në drejtësi, ku u shpreh se “Ka patur gjatë javëve të fundit takime intensive të eksponentëve të Partisë Demokratike me partnerët ndërkombëtarë, të cilët asistojnë në çështjet e Reformës në Drejtësi dhe nga sinjalet dhe mesazhet që kemi marrë, mazhoranca ka pranuar një nga dy kërkesat e opozitës. Ka pranuar kërkesën përsa i përket paritetit në komision, një kërkesë shumë e rëndësishme, në mënyrë që reformat të jenë jetëgjata dhe të mos varen vetëm nga qenia vetëm në një mandat të një qeverie. Ndaj dhe opozita do ta marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe sigurisht në seancën e ardhshme do të bëhen te ditur emrat”.
Po ashtu, Halimi shtoi se “Opozita sot ka depozituar edhe listën e 5 anëtarëve të këtij komisioni, pasi ky komision do të ketë 10 anëtarë, duke u tërhequr nga kërkesa për bashkëdrejtimin e këtij komisioni. Pra, komisioni do të ketë një kryetar dhe një nënkryetar që i përket opozitës dhe të ketë në përbërje 10 anëtarë me nga 5 të secilës palë. Sigurisht që opozita do të shohë me vëmëndje edhe seriozitetin e kësaj reforme edhe angazhimin e qeverisë në reformën në drejtësi, në mënyrë që kjo reformë të bëhet duke pasur si synim që të ketë në vëmëndje luftën ndaj korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë e jo kapjen e tyre”.