Nga: Moikom Zeqo
Data 20 janar e këtij viti ishte një datë e fiksuar kushtetutshmërisht për tërë Amerikën. Dita e ceremonisë së presidentit që merr mandatin e ri në Amerikë. 20 vjet më parë, në 20 janar 1997, unë, së bashku me familjen time, kemi qenë të pranishëm në Washington D.C. në ceremoninë e shpalljes president të Bill Clinton-it. Mbaj mend që kishte rënë shumë dëborë, bënte ftohtë, por ceremonia më la mbresa të jashtëzakonshme. Më vonë unë i shkrova një letër presidentit Bill Clinton për situatën kaotike të politikës në Shqipëri, si dhe për gjenocidin millosheviçian në Kosovë. Mora një përgjigje prej tij, gjë që më krijoi një entuziazëm të madh, aq më tepër që më drejtohej thjesht: “Dear Moikom”.
Dita e 20 janarit 2017, ishte dita e dorëzimit të pushtetit nga Barack Obama- Presidenti i 44-t dhe betimi publik për marrjen e detyrës, si Presidenti i 45-të i Amerikës, i Donald Trump.
PRESIDENTI QË U LARGUA DHE… Obama qe një President i madh i Amerikës. Ai do të kujtohet si një mishërim i thënies profetike të Martin Luter King “I have a dream”! Është Presidenti i parë me ngjyrë i SHBA. Vizionar, i kulturuar, ai mishëron një maturi dhe ndjeshmëri që të kujton presidentët legjendarë si Jaferson dhe Benjamin Franklin. Obama qe “President transformues”, motoja e tij jetike qe “change is possible”. Asnjëherë nuk duhet harruar thënia emancipuese e Obamës “Yes, we can!”. Në dhjetor 2009 ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Ai kapërceu krizën e madhe financiare dhe rrënimin që la pas në pikëpamjen financiare qeverisja e Bush Junior-it. Ai rriti numrin e të punësuarve si dhe lartësoi vlerën e dollarit gjatë 8 viteve të tij presidenciale. Por kryevepra e tij është “Obamacare” (The Affordable Health Care Act) për përmirësimin dhe lehtësimin e situatës shëndetësore duke zgjeruar masën e madhe të popullsisë. Në politikën e jashtme politika e tij qe e urtë dhe larg aventurave ushtarake. Në këtë pikë kundërshtarët e kanë kritikuar fort. Por unë mendoj që maturia e tij qe shembullore dhe strategjike. Ashtu siç thotë edhe mendimtari i madh politik Berzhinski, se në epokën e së ardhmes roli vendimtar i Amerikës lidhet me krijimin e një sistemi të madh partneriteti për të kontrolluar zhvillimet negative të botës. Amerika nuk mund të jetë kurrsesi vetëm sukses i projektit të një njeriu të vetëm, qoftë ky dhe presidenti më gjenial.
AI QË ERDHI DHE SHQIPËRIA…
Ardhja në fuqi e presidentit të ri Trump u shoqërua me një debat të madh kombëtar. Trump kritikoi ashpër establishmentin, statusquonë, fabrikimin e atyre që ai i quan “fake news” (“gënjeshtra të përditshme”), duke ngritur kultin e një Amerike të madhe për një madhështi të re. Ndonëse si biznesmen shumë i madh, ai është produkt tipologjik i neoliberalizmit. Në deklaratat e fushatës ai bën një kritikë të kundërt. Vetë globalizmi është pasojë e neoliberalizmit, duke llogaritur këtu edhe koston e keqe. Ky president i cili është i zgjedhur ligjërisht, ka të drejtë të kërkojë respektimin e vullnetit të votuesve amerikanë. Thënia e tij patetike, më e spikatur në fjalimin që mbajti, se “këtej e tutje pushteti do t’i përkasë popullit”, nuk flet aq për krijimin e një epoke të re, sesa për dëshirën e vetëkuptueshme për të forcuar Amerikën. Ideja e proteksionizmit e Trump-it, ngjan më tepër për një Amerikë të mëvetëshme, sesa për një Amerikë për tërë botën. Ky kufizim, kontraston me globalizmin. Në mandatin e tij presidencial, Trump do të ketë sfidat e veta. Ai është kritikuar shumë dhe ndaj tij protestojnë ende. Madje edhe Papa Françesku e sfidoi me një ligjërim jo aq politik. E kam të vështirë të besoj në shkopin magjik të transformimit, ose të formulave të gatshme të zgjidhjes së problemeve vetëm nëpërmjet vullnetit politik. Ajo që më çudit, është se, si shumë politikanë dhe analistë në Amerikë dhe në botë, janë treguar ambiguidë dhe të dyfishtë? Nëse gjatë fushatës e shanin Trump-in, nënkuptohet, në formën e kredicizmit publik dhe të editorialeve, fill mbas fitores së tij, bënë atë që thotë formula e vjetër mesjetare: “Vdiq mbreti, rroftë mbreti!” Qëndrimi publik i Ramës për Trump-in gjatë fushatës, natyrisht sot, ka kuptimin logjik, se sa e nxituar është ngutja e karakterit virtual, apo spektakolar në politikë. Por nuk e besoj se Rama do të bëhet “viktima” e administratës së Trump-it, e se opozita në mënyrë mekanike do mundësojë që fitorja e Trump-it, të bëhet sipas thënies “Hocus-Pokus”, edhe fitorja e saj në qershor të vitit 2017. Nuk funksionon, që prishja e shabllonit të një gabimi të bëhet me shabllonin e një gabimi tjetër. Por kjo gjë të bën të mendohesh se sa e lëvizshme, dinamike dhe konvencionale është vetë politika, edhe në rrafsh ndërkombëtar. Kjo mund të jetë një katarsis mendor edhe për politikanët sipërfaqësorë shqiptarë, të cilët virtualizohen dhe bëhen prestigjatorë të opinioneve. Amerika është një shtet federal me institucione shekullore dhe, vetëkuptohet, me një traditë demokratike të spikatur me shumë instrumente, filtra për të ruajtur ekuilibrimin dhe qëndrueshmërinë. Jam i bindur se marrëdhëniet e SHBA-ve me Shqipërinë mund të konceptualizohen në mënyrë racionale, dhe aspak në mënyrë irracionale, edhe në të ardhmen. Vetëm sipas kësaj logjike, që është substanciale. Duke përshëndetur ritualisht zgjedhjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump, ne mund të strukturojmë dhe të ruajmë bindjen se Amerika, është vendi i përballimit të sfidave. Dhe përballimi i këtyre sfidave ka të bëjë edhe me të ardhmen e njerëzimit, jo vetëm të Amerikës. Vetëkuptohet, edhe të Shqipërisë. Ne duhet ta lexojmë mirë mesazhin amerikan. Në ceremoninë e Trump-it mori pjesë edhe kundërshtarja e tij politike Hilary Clinton. Dhe kjo bëhet që të mos ketë përçarje politike brenda kombit amerikan. Pra ka një kuptueshmëri të thellë dhe të shumanshme politike. Këtë gjë duhet të mësojnë dhe politikanët kundërshtarë të partive kryesore në Shqipëri, të cilët, për një patetizëm të vjetër ballkanik e paraqesin protagonizmin e tyre, gati si antagonizëm me “tjetrin”. Po kështu, edhe përpjekjet për të treguar se disa nga aktorët kryesorë të politikës shqiptare kanë “përparësinë” e përkrahjes së Trump-it në raport me kryeministrin, më duken të ekstremizuara, madje estradeske. Natyrisht, unë kam parasysh këtu politikën institucionale dhe jo narcizizmin e personazheve. Opozita shqiptare është entuziazmuar së tepërmi nga zgjedhja e Trump-it. A do të ndikojë fitorja e tij apo edhe mbështetja e tij për ta sjellë në pushtet PD-në dhe opozitën aktuale? Është e natyrshme që, në rrafshin e politikës është shumë komode dhe një mjet i kërkuar, deri në imagjinatën më të skajshme kërkimi i alibive, apo i atu-ve për të ndryshuar një situatë të brendshme politike nga një faktor i jashtëm politik. A do të ketë ndikime? Në ç’sens? Në ç’drejtim? Votimi për zgjedhjet e përgjithshme politike në qershor 2017, është në fakt dhe në thelb ekskluziviteti i votuesve shqiptarë. Pra jo i një populli tjetër. Nuk mundet që ndërkombëtarët, kushdo qofshin ata, të jenë të pranishëm si votues të drejtpërdrejtë të zgjedhjeve në fjalë. Kjo është shumë serioze dhe e patjetërsueshme në politikë.
Si një njeri i letrave dhe që prej vitesh në analizat dhe në librat e mi kam funksionalizuar një optikë mbi partitë, duke njohur edhe shprehitë dhe pritshmëritë e elektorateve, të quajtur qoftë të majtë, të djathtë apo zona e ndërmjetme gri, mendoj qetësisht, pa apologji dhe pa asnjë lloj entuziazmi të rremë që nuk i hyn në punë askujt, se testimi i PS-së dhe i PD-së (që përbëjnë partitë kryesore më të mëdha politike), do të jetë një çështje e realitetit dhe prirjes zhvillimore, progresive të popullit që voton.
GJENDJA JONË
Gjithmonë jam shprehur se opozita është një institucion kushtetues. Pra ligjërisht është atributi dhe kushti i zëvendësimit të pushtetit në qeverisje. Dhe opozita duhet respektuar në këtë aspekt. Jo çdo gjë që thotë opozita është vetëm shpifje, por natyrisht, në atë që quhet prirja e opozitës ndaj qeverisjes së këtyre 4 viteve, negativizmi i plotë dhe prirja për një apokaliptizëm total të shoqërisë shqiptare, mendoj se është një tepri dhe një absurditet, ndonëse dua që gjërat të ndryshojnë dhe defektet e qeverisjes aktuale të korrigjohen. Kjo është diçka e qartë dhe absolutisht normale.
Për 2017 unë jam shprehur që PS-ja i fiton zgjedhjet, por kjo atë duhet ta bëjë më të përgjegjshme, që të mos përsërisë gabimet dhe të shkëputet nga apologjizmi spektakolar, apo nga deliret shqetësuese të qeveritarëve tanë. Dialektika e procesit politik, do krijojë zhvillime të reja jo vetëm deri në qershor 2017, por sidomos mbas këtij caku kronologjik. Nuk besoj në suksese “epokale”, por në disa veçori që dëshmojnë qoftë tendencën e ndryshimeve, qoftë edhe të një organizimi. Ka filluar dekriminalizimi apo funksionimi i vetingut. Vetingu është një arritje juridike për strukturën juridike të Shqipërisë. Është kontestuar si ekstra juridike. Madje nga aktorët e opozitës është quajtur edhe si antikushtetuese. Gjykata Kushtetuese e dha verdiktin e saj. Dhe unë mendoj që vetingu do të veprojë. Marrim deputetët e Shqipërisë si subjekt i vetingut (jo vetëm i gjyqtarëve të korruptuar, por për analogji, ose edhe për ringjalljen e besimit te Drejtësia). Si ka mundësi që mbas 25 vjetësh, deputetët në Kuvendin e Shqipërisë të përfaqësojnë një numër të madh njerëzish shumë të pasur, por pa atribute të personalitetit të vërtetë dhe gati anonimë?! Nuk di, a ka ndonjë deputet të varfër në këtë Kuvend? A do të ketë në të ardhmen ndonjë të varfër? S’e besoj! Si ka mundësi që mbas 25 vjetësh, të vërtetohet se në këtë Kuvend kanë pasur mandat deputetë seksomanë, trafikantë prostitutash dhe të drogës? Këto janë pyetje të mëdha për politikën shqiptare. Këto pyetje i bën populli, i cili nuk është i pasur, por ka probleme të mprehta ekzistenciale. A mund të pajtohemi me maksimën zhgënjyese dhe mashtruese se “Vetëm të pasurit e meritojnë politikën”, se “Politikanët përbëjnë një sekt njerëzish me atribute dhe privilegje jo vetëm të pasurisë, por edhe të pushtetit, të dallueshëm dhe në kontrast me votuesit e tyre të varfër, pra me vetë popullin, që kinse e quajnë Sovrani”? Procesi i skualifikimit të personazheve të tillë banalë ka të bëjë edhe me përfaqësimin adekuat të elektorateve në politikë. Do të ishte mirë që, nga 140 deputetë të kishte paktën 120, apo 100 deputetë (deputetët janë tepër të kushtueshëm). A do të ketë personalitete të vërtetë të zgjedhur në Kuvendin e vitit 2017? A do të ketë një ndryshim kopernikan në të zgjedhurit dhe përfaqësimin politik? Më vjen keq, por nuk kam fuqi të besoj se parlamenti i vitit 2017, përveç spastrimit nga ata që vunë në lëvizje terminologjinë “me rekorde kriminale”, do të jetë më i kulturuar, më profesional, me figura autoritative, me njohës të mençur të problemeve të ekonomisë, të kulturës, të politikës të brendshme dhe të jashtme, pra njerëz me dinjitet dhe përgjegjësi serioze, për të zgjidhur sfidat dhe problematikat që mund të jenë shumë të mëdha, e shpesh të papritura dhe të rënda.
Para ca ditësh, ishte 21 janari i vrasjes së katër njerëzve të pafajshëm nga pushteti i Berishës, ku edhe Basha ka përgjegjësinë e tij si ish-ministër i Brendshëm. Kam qenë vetë në demonstratë. I kam ndjerë plumbat që fërshëllenin jo shumë larg pozicionit tim dhe kam parë me sytë e mi vrasjen e njërit prej të katërve. Kam ndjerë edhe efektin e gazit lotsjellës që hodhi policia, mbufatjen e syve dhe vështirësitë e frymëmarrjes. Pse nuk është zgjidhur ky krim mbi publikun, që është krim shtetëror? A mund të ketë natyralitet dhe amnisti krimi shtetëror? Kurrë nuk mund të ketë! Jo vetëm amnisti, por kryesisht jo amnezi. Kjo është e trishtueshme, gati ulëritëse. Kush e mban përgjegjësinë? Si ka mundësi që mbas kaq vjetësh, të mos ketë asnjë përparim dhe asnjë verdikt për vrasjen makabre të 4 të pafajshmëve në bulevard?! Kjo të kujton situatat absurde të parabolave të Franc Kafkës.
ALTERNATIVAT DHE SHTETET…
Kam lexuar këto ditë filozofin francez, të cilin e përmendja edhe në një shkrim timin të mëparshëm, Alain Finkelkraut, i cili e klasifikon epokën e sotme si Epoka-Post-Faktuale. Kjo ide e mbrapshtë, se faktet vërtet mund të kenë ndodhur, por ekskluziviteti dhe patjetërsueshmëria e tyre, prishet, humbet, metamorfizohet, pra dhe harrohet, sepse zëvendësohet thjesht nga përplasja e opinioneve të ndryshme, është një instrument që funksionon dhe vret shpresën dhe logjikën në Shqipëri. Të vrarët, viktimat e ’21 janarit’ nuk janë aspak Post-Faktual. Nuk janë një subjekt fantazmagorik. Është një krim që ka ndodhur, por ndoshta ndonjë ditë edhe mund të ndodhë diçka e ngjashme, nëse nuk shterpëzohet ideja egërshane e ligjësimit të krimit shtetëror. Përgjithësisht klasa politike shqiptare është treguar e paaftë në vendosjen kushtetuese të drejtësisë. Do të jetë e vështirë edhe për vitet që do të vijnë, për shkak se lufta “e opinioneve” është shndërruar në një “sport” apo thjesht “performancë”, kurse fakti, nga real, kthehet në një atribut kinse imagjinar. Sepse këta 25 vjet klasa politike shqiptare, që unë për shkak të një kriticizmi iluminist e kam quajtur klasë parapolitike, ka si “arritje” të vetvetes, pra si “opera magnum” (“kryevepra”), stimulimin e një pasurimi të marrëzishëm të një pakice, krijimin e një korrupsioni endemik, të gjithëkapilarshëm, tërësor, kurse arritjet e mëdha, si futja e Shqipërisë në NATO, liberalizimi i vizave, vetingu, kanë qenë më tepër të strukturuara dhe të detyruara nga partnerët ndërkombëtarë. Shikoni çfarë ndodh në partitë politike në Kuvendin e Kosovës. Bëhen dy rezolucione për t’i kërkuar Francës lirimin e Ramush Haradinajt. Bëhet debat, pra “skenari i luftës së opinioneve”, e nuk arrin të votohet asnjëri nga rezolucionet, sepse mungon numri i kuorumit në votim. Pra një dokument i Kuvendit të Republikës të Kosovës për çështjen “Haradinaj”, nuk ekziston. Kryeskenari Post-Faktual funksionon edhe sa i takon vlerësimit historik të rolit të UÇK-së, por edhe të komandantit Haradinaj. Diplomacia serbe bën luftën e opinioneve të saj, e në rrafsh evropian përhap idenë e gabuar, fashistoide, se nuk ishin serbët që bënë gjenocidin në Kosovë, por paskan qenë kosovarët e UÇK-së që paskan masakruar serbët. Ja se si faktet anashkalohen, e politikanët e Kosovës tregohen edhe ata të rrafshit parapolitik, në shumë kuptime. E përshëndes veprimin e presidentit Hashim Thaçi për kthimin mbrapsht të trenit serb të dizenjuar si “Kosova është Serbi”, por ndërkohë përbuz deklaratat e marrëzishme të presidentit serb, për një alternativë lufte të re për të “rimarrë” Kosovën.
Kam lexuar librin e historianit të madh të shekullit XX Eric Hobsbawn “Age of Extreme -The Short Twentieth Century 1914-1991”. (“Epoka ekstreme-I Rrëmbyeri shekulli XX”). Duke reflektuar kam menduar: “Nuk di se çfarë lexojnë këta politikanët tanë me dituri sipërfaqësore!” Ky libër është nga librat më emblematikë të historisë moderne të shekullit XX. Në këtë libër Hobsbawn nënvizon se kriza botërore ka përherë një karakter të përgjithshëm, universal, jo vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe në atë politik. E ardhmja e njerëzimit, e mbështetur fuqimisht në shekullin XX, nga ngadhënjimi i progresit material, i bazuar në shkencë dhe teknologji, ka krijuar edhe paradokse të frikshme për shkak të largimit prej humanizmit dhe shpirtërores. Reflektimi pa fund i shkrimtarit gjigant Robert Musil në veprën e tij, pa një të dytë, “Njeriu pa cilësi” (botuar më 1930) për bjerrjen dhe deformimin e karaktereve njerëzore nga darvinizmi ekonomik, nga pashpirtësia e shfrytëzimit dhe mungesa e kauzave të mëdha, të bëjnë të mendosh edhe për kohën tonë. Hobsbawn, duke iu referuar Musilit, shkruan: “Lufta e ftohtë reganiane nuk qe drejtuar vetëm kundër ‘Perandorisë të së keqes’, por edhe kundër kujtimit të Franklin D. Roosevelt-it brenda vendit, kundër Shtetit të Ndihmës Sociale, po aq sa kundër çdo ndërhyrjeje të shtetit në lirinë e pakufishme ekonomike. Forma ekstreme e egoizmit të biznesit, sipas formulës “Laissez – faire” strukturoi neoliberalizmin që ndikoi edhe në revolucionin post-industrial të teknologjisë dhe të komunikacioneve”. Përsëri Hobsbawn: “Besimi se vetëm biznesi është i mirë dhe qeveria është e keqe (sipas shprehjes së Reganit se – qeveria nuk është zgjidhja, por problemi), nuk mund të përbënte një politikë ekonomike alternative… Dhe mbas 14 vjetëve në fuqi, edhe më i thekuri i regjimeve të tregut të lirë, Britania theçeriane, në fakt i taksoi qytetarët e vet duke paguar më shumë sesa kishin paguar taksa në regjimin e laburistëve”. Për neoliberalizmin kanë shkruar shumë ekonomistë dhe filozofë. Po përmend edhe ekonomistin amerikan të Çmimit Nobel Milton Friedman, i cili thotë se “teoria e tij ekonomike e Monetarizmit parakupton përherë ndërhyrjet keinesiane gjatë krizave”. I citova këta mendimtarë, për të kuptuar se në qeverisjen e sotme duhet reflektuar në këtë pikë. Duhet të jemi shumë më të matur, më të ngadaltë, tejet më të kursyer në formulën PPP, domethënë Partneritet-Privat-Publik. Kjo mund të na rezultojë fatale. Mund të them se kjo është mjaft e tepruar dhe e dyshimtë, aq më tepër për një qeverisje që afishohet si e majtë. Edhe lirshmëria e koncesioneve krejt të dyshimta dhe ambikuide nga ana juridike, përmbyllet në këtë suazë problematike dhe natyrisht të kritikueshme jo vetëm politikisht, por edhe nga ekspertët. Kjo krijon një non sens, jo vetëm në ekonomi, jo vetëm në kthimin e një roli dekorativ të shtetit, jo vetëm minimin dhe shkatërrimin e Publikes, por arrin deri atje sa të quhet normale, që në një projektligj të Ministrisë së Kulturës, të projektohet e drejta për t’ua dhënë monumentet e kulturës privatëve, sipas një konceptimi mekanik, por krejt antishkencor dhe kulturologjik. A mund të korrigjohen këto gjëra? Po pse të mos korrigjohen? Por, a e lë narcizizmi politik kryeministrin të reflektojë?
Së fundmi, dua të vë në spikamë faktin se nuk ka vend për të mos parë dritë në fund të tunelit.
Unë jam nga ata që besoj në zhvillimet dhe fuqinë e jetës së gjallë.
Shikoni ç’shkruan mendimtari i madh gjerman Walter Beniamini (1892-1940) për pikturën Angelus Novus, të Paul Klee: “Fytyra e engjëllit është e kthyer nga e shkuara. Aty ku ne shikojmë një varg ngjarjesh përpara syve tanë, ai sheh një katastrofë të vetme, që e ngre pirgun e rrënojave te këmbët e tij. Sikur të mund të qëndronte vetëm sa të zgjonte të vdekurit, e t’i bënte njësh thërrmijat e asaj që qe dërrmuar!
Por fryn një shakullimë nga ana e Parajsës dhe godet me aq fuqi krahët e tij – sa engjëlli nuk mund t’i mbyllë më. Kjo shakullimë e shpie rrëmbimthi në të ardhmen, së cilës i është kthyer shpina e tij, ndërsa grumbulli i rrënojave te këmbët, i rritet deri në qiell. Kjo shakullimë është ajo çka ne quajmë progres”!
Kjo parabolë metaforike është tepër kuptimplote. Përveç fjalëve, ka edhe një optimizëm të brendshëm. Të gjithë duhet të bëjmë diçka për ta bërë më të mirë, më të ndershme, më humaniste dhe më të pastër Shqipërinë. Të mos harrojmë thënien latine “Propria laus sardet”(Lavdërimi i vetvetes kundërmon). Prandaj serioziteti kërkon edhe një modesti të madhe.
Le të mos harrojmë thënien tashmë proverbiale të Obamës: “You can!” (Ju mundeni!)./balkanweb