Eduard Zaloshnja
Para disa ditësh, Ilir Meta i tha publikisht “Jo!” një koalicioni parazgjedhor të LSI-së me PD-në. Ndërsa më parë, një koalicioni të tillë, Lulzim Basha i kishte thënë “Jo! Jo! Jo!”. (Për një koalicionin paszgjedhor, nënkuptohet një përgjigje e tipit “hajt se folim”.)
Pyetja që duket se do t mbetet pa përgjigje deri në prill është nëse LSI-ja do të futet në zgjedhje si pjesë e koalicionit aktual mazhoritar, apo do të futet në garë më vete, në mes të dy koalicioneve të mëdha.
Nga fërkimet lokale mes LSI-së e PDIU-së në zgjedhjet lokale në Dibër e Kolonjë, si dhe nga sulmet publike që kanë bërë kohët e fundit disa eksponentë të LSI-së ndaj PDIU-së, duket se Meta nuk e sheh me sy të mirë rritjen e rëndësisë së Idrizit në koalicionin qeveritar. Dhe ndoshta ai po mendon që të futet në zgjedhje i ndarë nga dyshja Rama-Idrizi, në mënyrë që t’u provojë atyre se nuk mund ta sigurojnë dot numrin e 71 mandateve të nevojshme për të formuar qeverinë, me aleatë të tillë si FRD-ja, PDS-ja, PSD-ja etj.
Në fakt, nga një sondazh që zhvillova para disa ditësh për revistën Follow Business Albania, rezultonte se koalicioni PS+PDIU+FRD+etj. do të merrte vetëm 46% të votave (nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot) – gjë që do të thotë se do ta kishte praktikisht të pamundur sigurimin e 71 mandateve. Por sot jemi 5 muaj para zgjedhjeve, dhe preferencat elektorale mund të ndryshojnë me shkëputjen e LSI-së nga koalicioni qeveritar, e me ndezjen e motorëve të fushatës zgjedhore.
Mos të harrojmë se partitë që bëjnë pjesë në koalicionin PS+PDIU+FRD+etj. morën 51% të votave në zgjedhjet e 2013-ës. Aktualisht, firoja e tyre elektorale (nga 51% në 46%) shkaktohet nga votuesit që deklarojnë sot se do të votjnë për LIBRA-n ose se nuk do të votojnë fare. Por me ndezjen e fushatës, këta votues, nga frika e një koalicioni të mundshëm paszgjedhor Berisha-Meta, mund të rikthehen në llogoret e vjetra elektorale.
Me pak fjalë, një shkëputje e LSI-së nga koalicioni qeveritar do ta bënte garën elektorale jashtëzakonisht të fortë dhe krijimin e qeverisë së re të paparashikueshëm. Në një skenar të tillë, në rast se koalicioni PS+PDIU+FRD+etj. arrin të sigurojë 71 mandate, pesha politike e LSI-së do të binte, sepse mandatet e saj nuk do të ishin të domosdoshme për të krijuar qeverinë. Ndërsa në të kundërt, ato mandate do të ishin më tepër se të florinjta – dhe nuk i dihet se në ç’drejtim do të shkonin, për të krijuar qeverinë…
Nëse LSI-ja nuk shkëputet nga koalicioni qeveritar, nuk ka dramë praktikisht – mbetet të shihet vetëm se sa e madhe do të jetë diferenca e mandateve mes koalicionit qeveritar dhe atij opozitar; më e madhe apo më e vogël se sa diferenca e sotme në Kuvend. Në këtë skenar, Meta do të vazhdonte të mbante gjallë ambicien e tij të kahershme politike, për t’u rikthyer një ditë në krye të së majtës shqiptare…