Këtë të premte pritet të hidhet shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në kuadër të krijimit të organeve të sistemit të ri të drejtësisë në Shqipëri, kreu i Kuvendit Ilir Meta ka dhënë këtë njoftim, duke sqaruar se shorti është i hapur dhe do të bëhet në prani të një sërë përfaqësuesish nga drejtësia, politika, selitë diplomatike dhe medias.
Njoftimi i Kuvendit:
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në mbështetje të pikës 3 të nenit 149/d dhe pikës 11 të nenit 179 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neneve 221 dhe 284 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, njofton publikisht se ditën e premte, në datë 27 Janar 2017, ora 10.00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit do të organizojë hedhjen e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Me vendimin nr.3, datë 24.01.2017, Kryetari i Kuvendit ka miratuar rregullat dhe procedurën e hedhjes së shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Shorti është i hapur dhe zhvillohet në prani të:
– përfaqësuesve të dërguar nga institucionet e përcaktuara nga neni 284 i ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
– Avokatit të Popullit;
– Përfaqësuesve të grupeve parlamentare;
– Përfaqësuesve të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë dhe të organizatave partnere ndërkombëtare.
– medias.
Në datën dhe orën e caktuar për organizimin e shortit mund të marrin pjesë edhe kandidatët e propozuar nga institucionet e përcaktuara nga neni 284 i ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.