Duke filluar nga data 1 shkurt 2017, nis në Tiranë aplikimi i recetës elektronike duke eliminuar recetat në letër, të përdorura deri tani për barnat e rimbursueshme.
Projekti për recetën elektronike fillimisht u aplikua në projekt pilot gjatë 2015-ës, në 18 qendra shëndetësore dhe 80 farmaci në Durrës, nga ku rezultoi i suksesshëm.
Përmes kësaj recete zëvendësohet përdorimi i recetave letër dhe në këtë mënyrë mjeku ia transmeton recetën farmacistes elektronikisht. Kjo është vetëm për recetat me rimbursim dhe funksionon vetëm për pacientët e pajisur me kartë shëndeti.
Receta elektronike e lejon mjekun të krijojë dhe të transmetojë në mënyrë elektronike një recetë, si dhe farmacistin të ekzekutojë në mënyrë elektronike recetën. Hyrja në sistem do të bëhet nëpërmjet një komunikimi të sigurt dhe mundësohet identifikimi i çdo profesionisti të shëndetit (mjek dhe farmacist). Pas aksesimit shfaqen opsionet e gjenerimit të recetës. Për të gjeneruar një recetë, të dhënat merren fillimisht nëpërmjet kartës së identitetit dhe këto të dhëna identifikohen dhe nga regjistri elektronik i kartës së shëndetit.
Pas identifikimit të pacientit në sistem, do të fillojë plotësimi i recetës elektronike sipas llojit të recetës, kohës së vlefshmërisë (1 apo 2 mujore); zgjidhet diagnoza e cila identifikohet sipas kodifikimit ICD9 dhe plotësohet përshkrimi me barna. Pasi hidhen të dhënat, nuk mund të ketë më ndryshime në recetë. Në këtë moment, pacienti bëhet zotërues i recetës dhe mund të kërkojë ekzekutimin e saj pranë cilësdo farmaci që ka kontratë me FSDKSH.
Farmacia që ka kontratë me FSDKSH hyn në sistem përmes një komunikimi të sigurt. Në mënyrë automatike shfaqet receta e plotësuar nga mjeku dhe farmacistit i jepet mundësia që të ekzekutojë këtë recetë në farmaci, të japë alternativën e listës së barnave të rimbursuara, në bazë të principit aktiv që plotësohet nga vetë mjeku si dhe të plotësojë të dhënat për barin. Pas konfirmimit, nuk do të ketë mundësi të ndryshohet me receta. Pas këtij hapi, kjo është një recetë që njihet nga FSDKSH për rimbursim. Ministria e Shëndetësisë synon që përmes këtij sistemi elektronik të ulë mundësinë e korrupsionit apo abuzimeve të ndryshme./b.d