Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me strategjinë e tyre politike, kanë ndikim dhe fuqi të madhe në të gjithë botën. Pas fitores së Donald Trump si president i ri i SHBA, u pa se kupola e Partisë Demokratike u orientua menjëherë ndaj liderit të ri amerikan, duke i dhënë mbështetje dhe duke i bërë elozhe me anë të deklaratave të tyre. Dyshja Berisha-Basha mendojnë se afrimi me administratën e Trump do t’i ndihmojë për të përfituar meqenëse janë përpara edhe zgjedhjet parlamentare të 2017.
Pas afrimit të kupolës së PD me Trump ka reaguar ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, në një prononcim për gazetën “Sot”, i cili mendon se Berisha dhe Basha po tentojnë të përfitojnë nga Presidenti i ri amerikan. Klosi deklaron se SHBA nuk e ndihmon dot Bashën të marrë pushtetin, pasi synimi i tyre është vetëm reforma në drejtësi. Ai e quan karagjozllëk veprimet e liderëve të PD, ndërsa tha se SHBA e kanë ndihmuar PD vetëm kur u ndërrua sistemi komunist.
“Politikanët tanë duan të hiqen si miqtë e Presidentit të ri amerikan, por unë të siguroj se ai nuk ua di as emrin. Ky është karagjozllëk i liderëve shqiptarë. Trump nuk ka qenë në strukturën e Partisë Republikane. Ai erdhi në këtë post me punën e tij, e pëlqejnë apo jo është tjetër gjë. Basha dhe Berisha po hiqen si të afërt me të, me shpresën se mund të përfitojnë siç e kanë gjithmonë udhëheqësit shqiptarë, duke sajuar ftesa, vizita dhe lloj-lloj marifetesh për të treguar që janë miq të Amerikës, akoma dhe më shumë të pushtetarëve amerikanë”, u shpreh Klosi.
Afrimi i Bashës me Trump
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, thotë se Lulzim Bashën e gënjen mendja se do të vijë në pushtet me ndihmën e amerikanëve, pasi Donald Trump nuk i di as emrin. Fatos Klosi shprehet se SHBA i intereson reforma në drejtësi dhe një qeveri që e do populli shqiptar. Ai tha se SHBA nuk do probleme nga Shqipëria siç ishte 21 Janari, ndërsa për synimet e Bashës as që u shkon në mendje amerikanëve.
“Lulzim Bashën mund ta gënjejë mendja, se nuk ka çfarë t’i bëjë administrata e Trump për ta sjellë në pushtet. As kanë ndërmend ta ndihmojnë. Tani kanë ndryshuar kohët, duhet të jetë një njeri që pëlqehet nga populli, që e do popullin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk presin nga Shqipëria që ta ndihmojnë, por presin që Shqipëria mos t’u hapë punë. Qeveria Berisha e ka futur në siklet SHBA me 21 janarin. Kur populli nuk e do qeverinë, të gjithë aleatët futen në siklet. Misioni i tyre është që të jetë një qeveri që e do populli shqiptar. SHBA po kërkon rregulla me reformën në drejtësi, edhe kur kanë ndërhyrë në proceset zgjedhore gjithmonë kanë kërkuar rregulla. SHBA-të, PD e kanë mbështetur vetëm kur ndryshoi sistemi komunist, me idenë se do të vinte një frymë demokratike”, tha ish-kreu i SHISH. /b.d