Bisedimet e paqes mes përfaqësuesve të qeverisë siriane dhe të opozitës së moderuar filluan sot në republikën qendrore aziatike të Kazakistanit, që konsiderohet një vend neutral dhe sidomos, një vend që është shumë larg Perëndimit.
Bisedimet, në paralel me një seri të paraprirë në Gjenevë, që janë caktuar të rifillojnë muajin e ardhshëm, janë organizuar nga fqinji i Kazakistanit, Rusia, që mbështet regjimin në pushtet të Sirisë, dhe Turqia, që mbështet grupe të caktuara të opozitës që kërkojnë për të përmbysur këtë regjim.
Kazakistani, një ish-republikë sovjetike me rrënjë turke, është brenda sferës së ndikimit të Turqisë dhe të Rusisë.
Bisedimet e kësaj jave, në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, mendohet të nxisin një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia mes ushtrisë siriane dhe grupeve rebele të së ashtuquajturës opozitë e moderuar, që u ra dakord muajin e kaluar.
Presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev tha sot në një deklaratëse bisedimet në Astana do të plotësojnë ato në Gjenevë.
“Jam i bindur se takimi në Astana do të krijojë kushtet e nevojshme për të gjitha palët e interesuara në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për krizën siriane në kuadër të procesit të Gjenevës”, tha Nazarbayev.
“Kazakistani ka caktuar 700 000 dollarë dhe kohët e fundit ka shpërndarë 500 tonë ushqime si ndihmë humanitare për refugjatët sirianë”, tha Nazarbayev në një deklaratë të postuar në uebsajtin e Ministrisë së Jashtme të Kazakistanit./b.d