Një thirrje nga PS drejtuar opozitës që t’i rikthehet Komisionit të Reformës Zgjedhore, pasi koha për ndryshimet ligjore që pritet të bëhen është e shkurtër. Deputeti socialist Taulant Balla i ka bërë apel PD-së që të rikthehet në komision për të diskutuar në lidhje me ndryshimet ligjore, për transparencën gjatë fushatës zgjedhore si dhe për mënyrën e financimit të partive politike.
“T’i rikthehemi punës në Komisionin e Reformës Zgjedhore, pasi kemi çështje të tjera shumë të rëndësishme që duhen adresuar. Duhet të theksoja edhe njëherë rëndësinë që ka që të paraqesin ndryshimet në ligjet për partitë politike lidhur me transparencën e financimit, dhe transparencën e fushatave zgjedhore.
Duhet të përgatitemi për amendamentin që duhet bërë në ligjin për partitë politike, dhe ndaj është e rëndësishëm që të kthehen në komision kolegët e PD, në mënyrë që të bëhen ndryshimet e nevojshme. Kjo edhe përsa i përket diskutimeve edhe ndryshimeve në Kodin Penal, sa i takon korrupsionit gjatë fushatës zgjedhore. Duhet të jemi të gjithë bashkë për të konkluduar për çështjet që fola më lart, pasi kanë të bëjnë me standardin e zgjedhjeve në vend”, tha deputeti Balla./java/a.k