Partitë tradicionale majtiste të Evropës, po hasin një valë pakënaqësie nga përkrahësit e tyre tradicionalë dhe ndërsa nacionalistët populistë po shfrytëzojnë pakënaqësinë e klasës së mesme, të majtët përballen me një perpsektivë të zymtë në zgjedhje.
Ndërsa rritet zemërimi për pabarazinë, stanjacioni i rrogave, imigracioni në rritje, politikanët e majtë shqetësohen për humbje të thella të mundshme në zgjedhjet e këtij viti.
Të motivuar nga fitorja e Presidentit amerikan Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, nacionalistët populistë të Evropës, si kandidatja e së djathtës së skajshme, Marine Le Pen, thonë se 2017-a do të jetë “viti i zgjimit të popujve të Evropës kontinentale”.
Ajo së bashku me udhëheqës të tjerë nacionalistë të së djathtës së skajshme nga vende të mëdha evropiane u takuan të shtunën në Gjermani për të paraqitur vizionin e tyre për “një Evropë të lirë” që do të shpërbënte Bashkimin Evropian.
Ata u mblodhën në fillim të një viti, gjatë të cilit shpresojnë që të shënojnë fitore në Hollandë, Francë dhe Gjermani dhe ndoshta edhe në Itali ku po intensifikohen thirrjet për zgjedhje të parakohëshme.
‘Një Evropë e re’
“Dje, një Amerikë e re. Sot një Evropë e re!”, tha në fjalimin e tij nacionalisti hollandez Geert Ëilders në fjalimin e tij në konferencën që u mbajt në qytetin Koblenz të Gjermanisë.
Ëilders nuk ka dyshime se partitë e “së djathtës alternative” në Evropë do të jenë në gjendje të bëjnë për vete, votues liberalë tradicionalë, ashtu siç bëri zoti Trump në nëntor në Amerikë, duke siguruar një fitore të befasishme. Ekspertët e sondazheve janë dakord.
Sipas anketave, Partia për Lirinë e Ëildersit pritet të sigurojë përqindjen më të lartë të votave në zgjedhjet parlamentare të Hollandës më 15 mars. Po sipas anketave, Le Pen pritet të arrijë deri në raundin e fundit të zgjedhjeve në Francë në Prill-Maj.
Dhe në shtator, partia e Frauke Petryt e Alternativës për Gjermaninë shpreson të hyjë në parlamentin gjerman për herë të parë.
“Ne po përjetojmë fundin e një bote dhe lindjen e një tjetre”, tha Le Pen në fjalimin e saj të shtunën.
Beteja për Strategji
Partitë e majta evropiane po hasin vështirësi në hartimin e strategjive që të mund ta zmbrapsin sfidën dhe të rigjallërojnë imazhin e tyre të zbehur. Kritikët thonë se ato parti nuk kanë zgjidhje praktike për shqetësimet e votuesve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndërsa ndryshimet e globalizmit dhe teknologjisë ia vështirësojnë jetën.
Sondazhet në Francë, lënë të kuptohet se kushdo që të fitojë emërimin e Partisë Socialiste për të hyrë në garën kombëtare, nuk ka gjasa të arrijë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Francës më 7 maj. Kjo do të thotë që Le Pen do të përballet me konservatorin Francois Fillon.
“Kriza e së majtës evropiane është e pamohueshme. Jemi në një fazë të historisë evropiane ku kriza ekonomike, problemi i refugjatëve dhe imigrantëve, sfidat e Bashkimit Evropian, i vendosin partitë tradicionale të së majtës në një pozitë shumë të vështirë”, thotë Marc Lazar, një profesor francez historie. (b.an)